Milan përmbys Bologna në `San Siro`

Milan ka marrë një fitore me rezultat 3-1 ndaj Bologna në stadiumin “San Siro”, në një ndeshje të vlefshme për Serie A, duke i dhënë një shtytje të re garës për vendet që çojnë në Champions League.

Përballja, që kishte peshë të madhe për të dyja skuadrat: me Milan që kërkon të shmangë përfundimin jashtë zonës evropiane dhe Bologna që ëndërron rikthimin në Champions; nisi me intensitet, por pa raste të pastra në pjesën e parë.

Ka qenë Riccardo Orsolini ai që e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 49-të, pas një aksioni të ndërtuar me një pasim me kokë nga Thijs Dallinga.

Por reagimi i “kuqezinjve” nuk ka vonuar. Me ndryshimet e trajnerit Sergio Conceicao dhe futjen në lojë të Chukwueze e Santiago Giménez, Milan ka fituar gjallëri dhe e ka barazuar rezultatin në minutën e 66-të me golin e meksikanit, pas një aksioni të rrjedhshëm ku kanë kontribuuar Felix dhe Pulisic. Edhe pse një gol tjetër i Giménez është anuluar për pozicion jashtë loje, ka qenë Pulisic që e ka përmbysur rezultatin në minutën e 79-të.

Goli i tretë ka ardhur në minutat shtesë, kur Gimenez e ka vulosur rezultatin 3-1, pas një asisti të dytë nga Chukwueze.

Pas kësaj ndeshje, Bologna gjendet në vendin e shtatë me 62 pikë, ndërsa Milan një vend më poshtë me dy pikë më pak. 


Go to TOP