Hi Tech

Microsoft shtyn kthimin nëpër zyra pa afat

Kompania amerikane, Microsoft ka thënë se do të shtyjë pa afat kthimin e punëtorëve në zyrat në Shtetet e Bashkuara.

“Marrë parasysh paqartësinë rreth koronavirusit, ne nuk do të bëjmë parashikime për datë të re të rihapjes në zyrat tona në ShBA”, ka thënë Jared Spataro, zëvendës-president i korporatës, përmes një shkrimi në blogun e tij, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Microsoft pati thënë fillimisht se punëtorët duhet të kthehen nëpër zyra jo më vonë se 4 tetori, mirëpo tani ka deklaruar se rihapja nuk do të bëhet muajin e ardhshëm.

Microsoft ka rreth 181,000 punëtorë me orar të plotë, prej të cilëve 103,000 janë në SHBA.

Spataro ka thënë se Microsoft do të presë për udhëzime nga autoritetet shëndetësore dhe më pas do t’iu japë punëtorëve 30 ditë afat për t’u përgatitur.

Muajin e kaluar, Microsoft ka thënë se do t’iu kërkojë të gjithë punëtorëve dëshmi të vaksinimit, duke nisur nga vjeshta e këtij viti.

Disa kompani të mëdha teknologjike kanë thënë se do të kthejnë punëtorët e tyre në zyra këtë vit, mirëpo Google, Facebook, Amazon dhe disa kompani tjera, kanë thënë se do të presin deri vitin e ardhshëm.