Meta takim me ambasadorin ukrainas: Qëndrimi i Shqipërisë në linjë me BE-në dhe NATO-n

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar sot Ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov për të shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.

Në një njoftim për shtyp pas takimit me ambasadorin Shkurov në zyrat e Ambasadës së Ukrainës, Meta është shprehur se qëndrimi i Shqipërisë është e do të jetë i qartë, në linjë të plotë me atë të Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Presidenti Meta tha se Rusia dhe Ukraina duhet të ndalojnë luftën e të gjejnë zgjidhje të situatës përmes dialogut, ndërsa shtoi se shpreson që kjo situatë agresioni të tejkalohet sa më parë.

Sipas Metës, populli i Ukrainës po mbron lirinë dhe dinjitetin e tij, “si një popull evropian që ka dhënë aq shumë për lirinë, në të kaluarën, por që dhe sot po jep një shembull frymëzues për të mbrojtur jo vetëm shtetin e tyre, për mbrojtur jo vetëm dinjitetin e tyre kombëtar e njerëz, por edhe vlerat më të mira evropiane”.

“Ndaj jemi në krah të Ukrainës e të Presidentit Volodymyr Zelensky, jemi për të shprehur dhe njëherë ngushëllime për viktimat e pafajshme dhe të gjithë të lënduarit, nga ky agresion i pabesë dhe i pajustifikuar”, ka shtuar Meta.

Meta ka thënë gjithashtu se Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet, së bashku me të gjitha vendet demokratike e të përgjegjshme, për të nxitur armëpushimin dhe rikthimin e dialogut.

“Ne besojmë se vetëm rruga e dialogut në pozita të barabarta është zgjidhja për këtë situatë dhe në këtë drejtim përpjekjet tona edhe si vend anëtar i NATO, por edhe si një vend që synon anëtarësimin në BE, kanë qenë dhe mbeten të qarta, në një linjë të plotë me NATO-n dhe me BE-në”, ka theksuar Meta.

“Dua të falënderoj të gjitha institucionet tona, Kryqin e Kuq, organizatat e shoqërisë civile dhe të gjithë qytetarët, që kanë shprehur solidaritetin, që kanë nisur mbështetjen humanitare. Shpresojmë që sa më parë kjo situatë të tejkalohet, por sigurisht që ne do të vazhdojmë të jemi në krah të popullit të Ukrainës dhe brenda gjithë mundësive tona do të marrim përgjegjësitë tona dhe do të ndajmë peshën e solidaritetit me të gjithë vendet e tjera të BE”, tha Meta.

Në anën tjetër, ambasadori Shkurov shprehu falënderime dhe mirënjohje për qëndrimin pro Ukrainës të presidentit Meta.

“Si ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, dhe para se të niste konflikti, kam ndjerë mbështetjen e zotit Ilir Meta. Pas nisjes së luftës, zoti president ka qenë ndër të parët që ka mbështetur Ukrainën. Sot gjatë takimit kam pasur mundësinë që të shpreh falënderimet e zotit president Zelensky. Kam shprehur dhe fjalitë falënderuese dhe nga populli ukrainas”, tha ai.

Në fund të takimit, presidenti Meta refuzoi t’i përgjigjet pyetjes së një gazetari nëse i ka kërkuar ambasadorit Shkurov një ndryshim të qëndrimit të Ukrainës për çështjen e njohjes së Kosovës.

Kujtojmë se Ukraina nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Go to TOP