Mërgimtarët nga “grepi” në “rrjetin e merimangës”!

Shkruan: Florim ZEQA 

Iniciativa e ndërmarrë nga Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për “Qeverisje të Mirë” të PDK-së, z. Arben Mustafa për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në dukje të parë është sihariq i mirë për qytetarët, por në realitet është vetëm kauzë për pushtet dhe asgjë më shumë.

Derdhin “lot krokodili” ata që e shkaktuan kaosin tatimor

Ishte bashkëqeverisja PDK-LDK ajo e cila i ngarkojë qytetarët me barrën e tatimit mbi pronë pa kritere profesionale dhe pa vlerësim real të patundshmërive të qytetarëve. Këtë e dëshmon propozimi i PDK-së për pezullimin për një vit të vlerësimit të pronave, në të cilin fare nuk përmenden mërgimtarët dhe nuk parashihet rishikimi dhe legalizimi i pronave të qytetarëve.

Se vërtetë PDK-ja dhe jo vetëm ajo, por të gjitha partitë pa dallim pushtet dhe opozitë nuk e kanë hallin e qytetarëve (mërgimtarëve) por të pushtetit, e dëshmomë mos përfshirja në projektligj i shtëpive të pabanuara të mërgimtarëve, të cilat shfrytëzohen vetëm një muaj ose më pak se kaq brenda vitit.

T’i kthehemi edhe një herë kësaj nisme ligjore, përmes së cilës kërkohen amendamentit e nevojshme ligjore me të cilat kërkohet të ndryshohet pragu i poshtëm prej 0.15% i përcaktuar në nenin 9 të ligjit bazë, në mënyrë që t’ju mundësohet më tepër fleksibilitet komunave që të bëjnë përshtatjen e normave të tatimit në pronë sipas rrethanave ekonomike.

Edhe ky nen në parim është i mirë, por jo i definuar ashtu siç duhet dhe siç e kërkojnë nevojat e kohës, për shkak të mospërfshirjes së pronave, përkatësisht të shtëpive të pabanuara të mërgimtarëve!

Patjetër se duhet të përfshihen në këtë ligj edhe e shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve. Do të ishte reale dhe ideale caktimi i tarifës një mujore e jo vjetore për tatim në pronë për mërgimtarët deri në riatdhesimin e tyre në vendlindje si dhe të hiqen tarifat mujore për rrjetin e pashfrytëzuar të energjisë elektrike dhe internetit.

Faturat e tatimit në pronë po i shqetësojnë edhe mërgimtarët

Përderisa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shprehin shqetësimet e tyre rreth faturave për tatimin në pronë, që u kanë ardhur për pagesë me vlera shumëfish më të larta sesa viteve paraprake, mërgimtarët ndjehen të zhgënjyer në ‘Qeverinë Kurti 2’ për mos vlerësim real, gjegjësisht për mos marrjen në konsideratë të shtëpive të pabanuara të tyre.

Rritja deri në 700 për qind e faturave të tatimit në pronë për shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve është pak më tepër se plaçkë, është harraq i sinkronizuar mes pushtetarëve të nivelit qendror dhe atyre lokal.

Me këtë rritje nga janari i këtij viti qytetarët e Kosovës dhe mërgimtarët janë goditur me një rritje marramendëse dhe jonormale të tatimit në pronë. Për këtë rritje të tatimit në pronë përveç qytetarëve, partive opozitare dhe shoqërisë civile ka reaguar edhe KMDLN-ja, sipas së cilës kjo është plaçkitje e pastër nga ana e shtetit.

Nëse vazhdohet me këtë trend të gjobitjes të mërgimtarëve me tatimet mbi pronë për shtëpitë e pabanuara, me koston mujore të energjisë së pashfrytëzuar dhe pagesat për lidhje të internetit të pashfrytëzuar do t’i kthehet bumerang buxhetit të shtetit, ngase mërgimtarët do t’i rrallojnë vizitat në vendlindje, gjë e cila do të ndikojë dukshëm në uljen e ‘remitencave’ dhe do të bien investimet e mërgimtarëve në shtetin e tyre!

Kurti me “grep e me rrjetë” në peshkimin e diasporës

Që nga periudha e luftës dhe ajo e pasluftës, të gjitha qeveritë e “hodhën grepin” tek mërgimtarët. Kush më pak e kush tjetër më shumë të gjithë i plaçkitën pamëshirshëm mërgimtarët duke filluar nga Fondi 3 përqindëshit, “Vendlindja Thërret” e deri tek fondet e Albin Kurtit, të cilat po ngarendin njëri pas tjetrit, siç janë; “Fondi Emergjent” (gjatë pandemisë), “Fondi Sovran” dhe “Fondi i Sigurisë” për të cilat nuk ka asnjë transparencë dhe asnjë llogaridhënie! Askush përveç Albin Kurtit nuk e di sa miliona janë grumbulluar, sa janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar mjetet financiare të mërgatës të derdhura në fondet e sipërpërmendura!

Ashtu siç edhe pritej, edhe qeveria aktuale e Albin Kurtit, e “hodhi grepin” tek mërgimtarët, jo vetëm për vota, por edhe për para.

Fjala e kryeministrit Albin Kurti në konferencën “Diaspora Flet”: Diaspora është moti pasuri e çmuar e popullit tonë, dhe se është burim kryesor për zhvillimin e vendit”, me ndryshimet e bëra në ligj do t’u jepet fund padrejtësive të kamotshme ndaj diasporës”, përveç që të kujton atë proverbin e shpikjes së “ujit të ngrohtë”, kryeministri aktualë është kultivuesi numër 1 i zhvatjes dhe padrejtësive ndaj mërgimtarëve.

Ngase Albin Kurtit, përveçse për votë, asnjëherë nuk i ka interesuar Diaspora. Andaj as tani nuk e ka për qëllim ndihmën ndaj mërgimtarëve, por përfitimin për votë dhe plaçkitjen e tyre në përmes tatimit në prone, në energji elektrike, në qasje interneti e deri tek gjobitjet në komunikacion!

Përderisa qeveritë paraprake i përzgjidhnin mërgimtarët për plaçkitje përmes “grepit”, qeveria aktuale e ka shtrirë “rrjetin e merimangës” për të gjithë mërgimtarët që shkojnë për pushime në vendlindje. Ata mërgimtarë që arrijnë t’i shpëtojnë “grepit” e kanë të pamundur që t’i shpëtojnë “rrjetit së merimangës” të ngritur nga Kurt(h)i.

Vërtetë Diaspora është pasuri e çmuar e popullit dhe e shtetit, por nuk është e politikanëve!

Go to TOP