Me aktivitete të shumta shënohet ditëlindja e Skënderbeut

Me manifestime të ndryshme në Prishtinë, u shënua sot 612-vjetori i lindjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në ditëlindjen e 612-të të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Prishtinë u organizuan aktivitete të shumta. Manifestimi i Organizatës “Shqiptaria” dhe korporata “Kryeziu” nisi me simpoziumin shkencor në Institutin Albanologjik.

”Kam rieksploruar në gjerësi dhe thellësi fondin e madh dokumentar mbi Skënderbeun, kurse lexuesit dhe studiuesit shqiptarë dhe botërorë e dinë se ky fond është aq i gjerë dhe i thellë sa vështirë të mjaftojë një jetë njeriu për t’u marrë me të”, deklaroi Nusret Pllana.

Manifestimet pasuan me hapjen e një ekspozite arti, ku mbi 40 artistët shqiptarë prezantuan piktura e skulptura dedikuar heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti.

“Pikësëpari për Prishtinën është ngjarje e rëndësishme sepse për herë të parë masivikisht po festohet ditëlindja e Skënderbeut”, deklaroi piktori Idriz Berisha.

“Kjo ekspozitë është në kuadër të lindjes së Skënderbeut. Piktorët janë mbledhur nga të gjitha trojet dhe kanë sjell punimet e tyre- portretin e Skënderbeut”, deklaroi ndërkaq Prend Buzhala, poet.

Tjetër aktivitet në këtë datë të shënuar ishte edhe arritja e maratonistëve me pishtarin e lirisë nga Prekazi si dhe performancat e aktorit Xhevat Limani.

“Unë mendoj që është dita më e madhe që duhet ta kishim, për mua sepse me lindjen e Gjergj Kastriotit lindi një diell për Arbërin dhe Shqiptarinë”, deklaroi Agim Pepaj.

Në 612-vjetorin e lindjes së Skënderbeut, pati edhe performancë të këngëtarëve dhe ansambleve tradicionale si dhe e grupeve të të ndryshme muzikore.

Go to TOP