Më 22 mars mbahet gara tradicionale `Vrapimi i Marsit` në Izbicë
Fshati Izbicë edhe sivjet do të mirëpres garën tradicionale përkujtimore “Vrapimi i Marsit – Izbica 147”. Ky është edicioni i pestë i këtij aktiviteti që mbahet në nderim të 147 martirëve të Masakrës së Izbicës dhe dëshmorëve të Komunës së Skënderaj.
Kjo garë sportive është shndërruar në një aktivitet të rëndësishëm përkujtimor dhe sportiv, duke bashkuar vrapues nga e gjithë Kosova, trojet shqiptare dhe diaspora.
Organizatorët kanë bërë të ditur se gara do të zhvillohet në dy disiplina: 10 kilometra dhe 21 kilometra, duke ofruar mundësi pjesëmarrjeje si për vrapues elitarë, ashtu edhe për fillestarët që duan të jenë pjesë e këtij aktiviteti simbolik. Po ashtu është parashikuar një vrapim simbolik edhe për fëmijët prej 2 kilometrash.
Ky aktivitet ka për qëllim të përkujtojë sakrificën e martirëve të Masakrës së Izbicës, të promovojë sportin dhe vrapimin malor, si dhe të forcojë traditën e organizimeve sportive dhe përkujtimore në këtë zonë.
“Vrapimi i Marsit – Izbica 147” ka ndërtuar ndër vite një identitet të veçantë, duke lidhur aktivitetin sportiv me kujtesën historike dhe duke krijuar një moment bashkimi për komunitetin dhe sportdashësit.
