Mbyllet panairi i 24-të i Librit Prishtina 2024

Është përmbyllur panairi i 24-të i Librit “Prishtina 2024” i hapur për 5 ditë me radhë. Qytetarët kishin vlerësime të ndryshme sa u përket çmimeve të librave, përderisa shtëpitë botuese thonë se sivjet pati rënie të interesimit për blerje të librit.

Qytetarët që vizituan panairin, thonë se gjetën tituj të ndryshëm të librave por çmimet ishin të larta.

“Ato që unë i shikova që mua më interesuan, mu dukën të arsyeshme. Duke parë se sa shpenzojmë për një ditë për kafe e dikush pinë cigare ose një ushqim që prapë uritemi, libri më duket që ia vlen. Kishte edhe zbritje në çdo shtand kështu që mua mu duk e arsyeshme”, tha Luljeta Rama, qytetare nga Mitrovica.

 “Duke e llogarit jetën në Kosovë, pak janë të shtrenjta. Mirëpo edhe këta(shtëpitë botuese) nuk e di sa kanë zgjidhje në panair më bë zbritje pakëz më shumë. P.sh. nuk pati zbritje sepse çmimet e vogla dhe tha që nuk mundet më bë zbritje. Mendoj që kryesisht pak janë të shtrenjta. Nëse marrim një libër 15-20 euro me pagat që janë në Kosovë, unë mendoj që janë pak të shtrenjta” , tha Naim Zyberaj, qytetar i Rahovecit

Rënien e numrit të vizitorëve, shtëpitë botuese e quajnë kambanë alarmi.

“Ka pas të interesuar ndoshta fëmijët më shumë, e kategoria e të rriturve ka qenë më pak e interesuar” Emira Bunjaku nga  Shtëpia botuese “Albas” .

“Ka pas shumë më pak vizitorë. Nuk kemi bërë akoma një bilanc të shitjeve , kështu që nuk mund të flasim me numra. Por, numri  njerëzve që kanë kaluar këtu përpara ka qenë më i ulët se vitet e tjera. Fatkeqësisht!”, tha Loreta Berhami nga  botimet “Pegi”.

“Realisht vërehet një rënie e vizitorëve e kjo na shpie të mendimi se gradualisht, formati i arritjes së librit deri tek lexuesi ka ndryshuar nga pak. Pra, po flasim për një qasje në raport me librin dhe me formatet tjera. Kjo vlerësoj është edhe një hapësirë e mjaftueshme për vetë panairin, organizimi për këtë rast dhe për botuesit pjesëmarrës që të gjejnë formate të reja për ta nxitur lexuesin që të vijë në panair ” , tha Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Në përmbyllje të panairit, Akademik Rexhep Qosjes iu nda çmimi për vepër jetësore nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Për vepër jetësore iu nda çmimi edhe akademik, Ali Aliut.

Në panair morën pjesë mbi 100 botues pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Go to TOP