Mbrojtja kërkon lirimin e Krasniqit nga paraburgimi: Mosha e tij neglizhohet vazhdimisht në parashtrimet e ZPS-së

Mbrojtja e Jakup Krasniqit, i cili po mbahet në Dhomat e Paraburgimit në Hagë që dy vite rresht, ka kërkuar që klienti i tyre të lirohet dhe të mbahet në Kosovë deri sa të fillojë gjykimi ndaj tij, më 1 mars të 2023-ës.

Në parashtresën e mbrojtjes, e cila mban datën 25 janar dërguar Gjykatës Speciale, thuhet se për shkak të moshës dhe kohëzgjatjes së gjykimit ndaj Krasniqit kërkohet që të lirohet dhe të kalojë kohën e mbetur me familjen e tij.

“Një periudhë e shkurtër e lirimit të përkohshëm, sipas rregullave, do t’i mundësonte z. Krasniqi javë të çmuara me familjen e tij, përpara se të kthehet në Hagë për një gjyq të zgjatur, pa dhënë shtysa për çfarëdo rreziku kundër procedurës”, thuhet në parashtresë.Mbrojtja shton se nuk ekziston ndonjë rrezik real që ish-kreu i UÇK-së të arratiset, ndërhyjë në dëshmitarë apo procedura gjyqësore apo të kryejë krime dhe potencon se prokuroria nuk ka arritur të ofrojë fakte të mjaftueshme për asnjërën nga këto.

“Deri në kohën kur të përcaktohet vendimi për këtë kërkesë, z. Krasniqi do të jetë 72 vjeç. Mosha e tij neglizhohet vazhdimisht në parashtrimet e ZPS-së, gjë që lufton kundër çdo rreziku arratisjeje. Ai ka një lidhje të fortë personale me Kosovën dhe, përveç rrethanave politike, nuk ka qenë jashtë Kosovës për një periudhë të gjatë, me përjashtim të periudhës shkurt-qershor 1999 kur mori pjesë në negociatat ndërkombëtare të paqes dhe më pas nuk ishte në gjendje të kthehej në vend”, vijon parashtresa.

“Lidhjet me Kosovën dhe familjen e tij të ngushtë mbesin arsyet kryesore. Këta faktorë, të marrë si individualisht ashtu edhe në mënyrë kumulative, sugjerojnë se z. Krasniqi nuk ka gjasa të arratiset dhe në vend të kësaj do të ishte më i motivuar për të përmbushur kërkesat shtesë të vendosura për të siguruar lirimin e tij afatshkurtër”./demokracia

Go to TOP