Mblidhen 10 mijë nënshkrime për Trustin, peticioni pritet të dërgohet javën e ardhshme në Kuvend

Është arritur në 10 mijë numri i nënshkrimeve në peticionin për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), bëjnë të ditur nga iniciativa “Pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit”.

Adnan Jashari nga kjo nismë tregon se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdoj deri në fundjavë, kurse javën e ardhshme ky peticion do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

“E kemi arritur numrin e 10 mijë nënshkrimeve, por do vazhdojmë deri në fund të javës të mbledhim nënshkrime për shkak se ka interesim të madh prej qytetarëve në të gjitha qytetet. Prandaj, pasi ka interesim nuk po ndalemi, po bëjmë edhe më shumë nënshkrime që ta forcojmë bindjen për deputetet që qytetarët janë pro tërheqjes së Trustit”, tha Jashari.

Ai theksoi se peticioni do të dërgohet javën e ardhshme në Kuvend.

“Javën e ardhshme kemi menduar t’i dërgojmë nënshkrimet në Kuvend”, theksoi ai.

Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, në Kuvend ishte rrëzuar nisma e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu. Kundër kanë votuar deputetët Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 102 deputetë në sallë, 44 patën votuar për, 57 kundër dhe 1 abstenim.

Go to TOP