Mbledhja e Qeverisë, këto janë vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar disa projektligje dhe ka aprovuar disa kërkesa.

Ndër vendimet e marra, është edhe ai për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit për rrugën Prizren-Tetovë.

Në Komunikatën e lëshuar për media thuhet se Qeveria ka miratuar Projektligjin për Bankat i cili ka për qëllim rregullimin e aktivitetit bankar në vendin tonë, në funksion të nxitjes dhe mbarëvajtjes të një sistemi të qëndrueshëm financiar.

Më poshtë gjeni të gjitha vendimet:

Ka miratuar Rregulloren për Procedurat e Verifikimit e Sigurisë së Personelit dhe Procedurën e Ankesës e cila përcakton rregullat dhe procedurat për verifikimin e sigurisë së personelit që ka apo mund të ketë qasje në informacionin e klasifikuar, administrojnë dhe qarkullojnë informacione të klasifikuara gjatë ushtrimit të detyrave në kuadër të respektimit të parimit “nevoja për të ditur”.

Ka miratuar Rregulloren për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar në Fushën Industriale e cila përcakton procedurat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në fushën industriale. Rregullorja është në harmoni me legjislacionin evropian, përkatësisht me vendimin e Këshillit të 23 shtatorit 2013 mbi rregullat e sigurisë për mbrojtje të informacionit të klasifikuar të BE-së.

Ka miratuar Rregulloren për Sigurinë Fizike të Informacionit të Klasifikuar e cila përcakton procedurat për mbrojtje të informacionit të klasifikuar në fushën industriale dhe është në harmoni me legjislacionin e BE-së.

 Ka miratuar Rregulloren për Administrimin e Informacionit të Klasifikuar dhe Themelimin e Njësisë së Informacionit të Klasifikuar. Kjo njësi ka për qëllim krijimin e standardeve për sigurimin fizik të informacioneve të klasifikuara për të gjitha institucionet publike, operatorët ekonomikë, sigurimin e hapësirave ku mbahen informacionet e klasifikuara si dhe krijimin e standardeve për transportimin fizik të informacionit të klasifikuar.

Ka miratuar Rregulloren për Klasifikimin, Ndryshimin e Statusit të Klasifikimit, Asgjësimin dhe Shkatërrimin e Informacionit të Klasifikuar e cila përcakton procedurën e klasifikimit, de klasifikimit, degradimit, ngritjen e nivelit, asgjësimit dhe shkatërrimit të informacionit të klasifikuar nga Autoriteti Klasifikues në institucionet e Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP