Mbi 1 mijë studentëve të huaj në SHBA u janë anuluar vizat ose statuset

Administrata Trump ka revokuar qindra viza studentore në pothuajse çdo cep të SHBA-së si pjesë e një fushate të gjerë kundër imigracionit, ndërsa shumë universitete nuk janë informuar për arsyet.

Më shumë se 1,000 studentë ndërkombëtarë dhe të diplomuar së fundmi nga mbi 130 universitete në SHBA kanë pasur vizat apo statuset e tyre të anuluara në sistemin SEVIS këtë vit, sipas deklaratave të universiteteve. Institucionet arsimore në 40 shtete kanë konfirmuar këto revokime për CNN.

Në Universitetin Shtetëror të Tenesit të Mesëm, gjashtë studentë nga Azia, Evropa dhe Lindja e Mesme kishin vizat e tyre të revokuara. Universiteti nuk është njoftuar për arsyet specifike të këtyre ndryshimeve.

Shumë universitete deklaruan se nuk morën sqarime nga qeveria. Revokimet janë zbuluar vetëm përmes sistemit SEVIS. Vetëm disa institucione kanë qenë në dijeni të arsyes së anulimeve.

Në Universitetin e Oregonit, katër studentëve ndërkombëtarë u është revokuar statusi i vizës për akuza penale të paspecifikuara, pa u informuar më parë institucioni.

Nuk është e qartë nëse studentët duhet të largohen menjëherë apo mund të vazhdojnë studimet. Studentët ndërkombëtarë janë bërë objektiv i fushatës së imigracionit, me raste që përfshijnë akuza për mbështetje të organizatave terroriste dhe kundërvajtje të vjetra.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar se pjesëmarrja në protesta nuk do të tolerohet, duke theksuar se studentët janë në SHBA për të ndjekur mësime, jo për të udhëhequr lëvizje aktiviste.

Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos njoftoi se 12 studentë apo të diplomuar janë prekur nga këto masa, për shkak të shkeljes së kushteve të vizës.

Ndërkohë, një padi federale është ngritur në Gjeorgji kundër administratës Trump për të ndalur revokimet dhe për të rikthyer vizat e anuluara. Padi përfshin 133 studentë nga vende si India, Kina, Kolumbia, Meksika dhe Japonia.

Në padi pretendohet se ICE ka anuluar në mënyrë të paligjshme statusin ligjor të studentëve, duke i privuar nga e drejta për të studiuar dhe punuar në SHBA dhe duke i vënë në rrezik për arrestim dhe deportim.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk kanë komentuar.


Go to TOP