Mbahet në Hagë konferenca përgatitore ndaj Januzajt, Bahtijarit e Shalës

Në Hagë është mbajtur konferenca e parë përgatitore ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës. Mbrojtja e të arrestuarve tha se është e gatshme ta dorëzojë listën e dëshmitarëve dhe të gjeturat e hetimeve deri në fillim të nëntorit, derisa trupi gjykues u kërkoi atyre të qëndrojnë në gatishmëri për t`i paraqitur provat e tyre në dhjetor. Gjykatësja ka thënë se procesi gjyqësor ndaj të dyshuarve do të fillojë më 8 nëntor.

Një vit pas arrestimit, në Dhomat e Specializuara në Hagë u mbajt konferenca e parë përgatitore në procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

Ndonëse ishte paraparë që procesi gjyqësor ndaj tyre të fillojë më 11 nëntor, kryetarja e trupit gjykues kërkoi nga palët që të jenë të gatshme që ky proces të fillojë më 8 nëntor, pasi data e lartpërmendur nuk i përshtatej mbrojtjes së Januzit.

E mbrojtësit e të akuzuarve u shprehën të gatshëm që t`i përfundojnë hetimet sa më shpejt që munden.

“Hetimet do të përfundojnë brenda 11 nëntorit në mënyrë që të fillojë gjykimi, pastaj në varësi të provave që do të paraqesë Prokuroria mund të ketë ndryshim të hetimeve tona, mund të bëjmë hetime të mëtutjeshme, por brenda 11 nëntorit ne do t’ju njoftojmë lidhur me dëshmitarët që synojmë t`i thërrasim, mund t’ju them që zotëri Shala do t`i ketë provat e veta dhe se nuk do të ketë më shumë se 3-4 dëshmitarë shumë të shkurtër dhe njëri prej tyre do të jetë ekspert me gjasë”, deklaroi Toby Cadman, mbrojtja e Shalës.

“Edhe ne synojmë që të përfundojmë deri më 2 nëntor, shumë prej parashtrimeve do t`i japim me shkrim, sepse mendojmë se kështu do të jetë më efikase. Sa u përket parashtrimeve me shkrim, ne u kemi dhënë disa emra gjykatësve dhe besojmë se lista e plotë e dëshmitarëve nga ana jonë do të dorëzohet deri më 2 nëntor. Shpresojmë që do të përfundojmë me hetime deri më 11 nëntor”, tha në anën tjetër Felicity Gerry, mbrojtja e Bahtijarit.

“Me kusht që çdo gjë të shkojë siç duhet, ne planifikojmë që t`i përfundojmë hetimet në terren deri më datën 11 nëntor, nëse kjo ndodh atëherë zotohem që të dorëzojmë dosjen paragjyqësore të përditësuar dhe listën e dëshmitarëve të mundshëm deri më datën 19 nëntor”, deklaroi Jonathan Elystan Rees, mbrojtja e Januzit.

E kryetarja e trupit gjykues pati një kërkesë për mbrojtjen.

“Në qoftëse ZPS do të përfundojë me fazën e paraqitjes së provave të veta në nëntor të vitit 2024, atëherë paraqitja e provave prej ekipeve të mbrojtjes mund të fillojë në dhjetor të vitit 2024.  Ju kërkoj ekipeve të mbrojtjes që të përgatiten, duke e pasur këtë planifikim të datave në kokë”, tha Mappie Veldt-Foglia, kryetare e trupit gjykues.

Pas ankesës së mbrojtjes së Januzit për vështirësi financiare sa i përket hetimit, nga zyra administrative kanë thënë se kanë fonde të disponueshme për mbrojtjen, në mënyrë që t`i kryejnë hetimet e tyre. Konferenca e radhës përgatitore mbahet të martën.

Go to TOP