Mashtronin qytetarët me kontrata fiktive, arrestohen dy persona në Gjilan

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përmes Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan (NJRHKEK-Gjilan), në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm pas hetimeve disa mujore duke identifikuar dhe ndaluar dy persona të dyshuar për mashtrim të qytetarëve.

Të dyshuarit, G. J. (i lindur në vitin 1986) dhe A. A. (i lindur në vitin 2000), dyshohet se përmes paraqitjes së rreme dhe mashtruese kanë manipuluar qytetarë në rajonin e Gjilanit duke i bindur ata të nënshkruajnë kontrata dhe të bëjnë pagesa avansi për produkte dhe dhurata të cilat nuk janë dorëzuar kurrë.

Gjatë hetimeve janë identifikuar 13 viktima në komunat e Gjilanit dhe Vitisë, të cilët janë futur në obligime kontraktuale në vlerë prej 24,607 euro. Prej tyre, 9 persona kanë paguar edhe avans në shumën prej 3,494 euro, bazuar në premtime të rreme për shpërndarjen e produkteve pas nënshkrimit të kontratave.

Bazuar në këto fakte, ekziston dyshimi i arsyeshëm se G. J. dhe A. A. kanë kryer veprat penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrim”.

Të dyshuarit janë intervistuar më 20 nëntor 2025 në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejme ligjore. /Kosova.info/


Go to TOP