Marrëveshje finale gjatë mandatit të Hovenier e Hill?- flet ambasdori amerikan

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për KoSSev ka folur edhe rreth asaj se nëse është e mundur që të arrihet një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë kohës sa vetë Hovenier do të jetë ambasador në Kosovë e Christopher Hill në Beograd.

Hovenier ka thënë se beson që arritja e marrëveshjes është e mundur, derisa ka thënë se nëse marrëveshja ndodh, për atë do të vendosin vetë qeveritë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic.

 “Do të filloj me pjesën e parë të pyetjes suaj. A besoj se kjo mund të bëhet gjatë mandatit tim, në mandatin e ambasadorit Hill apo gjatë mandatit të liderëve aktualë politikë? Po, besoj se është e mundur. Nëse kjo do të ndodhë absolutisht, nuk mund ta kontrolloj, në fakt është diçka që duhet të vendosin vetëm dy qeveritë, presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti”, ka thënë Hovenier.

“Besoj se janë plotësuar kushtet, nëse ka vullnet politik për ta arritur këtë (përfundim të një marrëveshjeje), dhe shoh disa indikacione reale se kjo është e mundur. Për sa i përket asaj që Shtetet e Bashkuara presin të ndodhë nga ky proces, mendoj se presidenti im ka qenë mjaft i qartë dhe e ka bërë të qartë vizionin tonë në disa raste, dhe kjo është një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon njohjen reciproke. , por le të flasin vetë fjalët e Presidentit Biden”, ka shtuar tutje Hoveneir.

I pyetur se çfarë nëse Kurti dhe Vucic nuk do të arrijnë marrëveshje, Hovenier ka thënë se si diplomat që është ka optimizëm se për arritjen e një marrëveshjeje, e për të cilën thotë se palët duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe me një lloj urgjence.

“Unë jam diplomat, që do të thotë se jam optimist dhe realist, sepse kështu duhet të jesh kur je diplomat. Optimisti tek unë thotë se nuk ka pse të mos pajtohemi, sepse është në interes të Serbisë dhe në interes të Kosovës. Unë jam realist për faktin se kjo është e vështirë. Ka çështje të vështira që kanë kosto politike. Të dyja palët do të duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe kreative dhe me njëfarë urgjence për ta arritur këtë, por besoj se është e mundur. Dhe kjo është, natyrisht, një nga prioritetet e mia kryesore si ambasador amerikan në Kosovë për ta realizuar këtë”, ka thënë Hovenier.

Go to TOP