Maqedonia e Veriut regjistron 17 viktima me COVID-19

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të shtunën 17 viktima me COVID-19, si dhe 482 të infektuar.

Rastet e reja dolën pas testimit të 4,151 mostrave. Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjashtë të vdekur janë regjistruar në Kumanovë, katër në Prilep, nga dy në Shkup dhe Manastir dhe nga një në Veles, Kavadar dhe Kriva Pallankë.

Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 7,036. Numri më i madh i të vdekurve është në Shkup 2,362 viktima, në Tetovë 512, në Kumanovë 491, në Prilep 465 dhe Gostivar 380 të vdekur.

Sa i përket të infektuarve, më së shumti janë në Shkup, gjithsej 124 ndërsa numër më të vogël ka në 19 qytete tjera.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut me koronavirus janë diagnostikuar rreth 199 mijë persona.

Instituti i Shëndetit Publik ka raportuar për 280 persona të shëruar kurse numri i raste aktive me COVID-19 është 6,292.

Drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë vazhduar me thirrjet për vaksinimin e popullatës, pasi raportet flasin për uljen e numrit të të vaksinuarve.

Për dallim nga muaji shtator, kur numri i personave të vaksinuar në bazë ditore sillej mes 10,000 deri në 15,000, tani ky numër nuk kalon më shumë se 1,000 në ditë.

Sipas të dhënave zyrtare, në Maqedoninë e Veriut është vaksinuar rreth 800,000 persona me nga një ose dy doza.

Instituti i Shëndetit Publike nga dita e hënë do të ndalojë hyrjen në ambientet e institutit të personave të pavaksinuar, por edhe të atyre me nga një dozë.

“Vaksinimi mbetet mënyra e vetme për përballje me pandeminë dhe kthimin e vendit në gjendjen normale. Numri më i madh i viktimave janë persona të pavaksinuar, sikur edhe numri i të infektuarve. Vaksinat janë të sigurta dhe thirrjes duhet t’i përgjigjen të gjitha personat që ende hezitojnë. Duke mbrojtur veten e tyre ata mbrojnë edhe jetën e familjes së tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë duke paralajmëruar rritjen e aktiviteteve për ndërgjegjësimin e popullatës për vaksinim.

Go to TOP