Macron mendon se është gjetur kompromis midis Shkupit dhe Sofjes

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, e cila do të përfshinte edhe Bullgarinë.

“Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Macron në një konferencë për media – në margjina të samitit të NATO-s në Spanjë – por pa dhënë më shumë detaje.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftuan më vonë se kanë marrë një propozim nga Presidenca franceze “me ide që lidhen me qëndrimet e njohura publike të Maqedonisë së Veriut”.

As ata nuk specifikuan se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

“Kjo është një bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ, fillimisht në Qeveri dhe me partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin e shtetit, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend”, tha Qeveria në Shkup.

Sipas saj, vendimi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut do të merret “ashtu siç është premtuar, bashkërisht, sipas meritave dhe në përputhje me interesat strategjike të vendit dhe të të gjithë qytetarëve të tij”.

Qeveria maqedonase e falënderoi Macronin dhe Presidencën franceze të Bashkimit Evropian, e cila përfundon mesnatën e 30 qershorit, për, siç tha, ruajtjen e besueshmërisë evropiane në Ballkan.

Bullgaria, tash e dy vjet, bllokon nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Shkupin rreth gjuhës dhe historisë.

Më 24 qershor, Parlamenti i Bullgarisë ka votuar për heqjen e kësaj vetoje.

Ky veprim është marrë pas ndryshimit të tekstit të kornizës negociuese, që do t’i garantonte të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut përmes ndryshimeve kushtetuese dhe do ta detyronte Shkupin të mbajë marrëdhënie të mira me Bullgarinë.

Go to TOP