Lushtaku për çlirimin e 25 viteve më parë: Nuk e besonim që po ndodh vërtetë
Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku sot në 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova u shpreh se ai në atë kohë kishte qenë në mal.
Lushtaku u shpreh se ndjenja që kanë përjetuar është e papërshkrueshme dhe tha se nuk e besonin se po ndodhte vërtetë.
“Për mua dhe për kolegët e mi që kemi qenë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpos dëshirës, vullnetit dhe kënaqësisë që e kemi kur i shohim nipat, mbesat, qytetarët e Republikës së Kosovës, që sot jetojnë pa dhunën serbe, pa shërbimin serb, ne e ndjejmë një pjesë të kënaqësisë. Ndërkaq, fatkeqësisht kjo pjesa tjetër është emocionale, është e dhimbshme, uroj që ata që kanë humbur më të dashurit e tyre, të kënaqen me Ditën e Çlirimit në Kosovë”.
“Unë kam qenë në mal, ishte një ndjenjë që është zor me e përshkru tani, ne e morëm lajmin që forcat serbe u larguam, por ne nuk besonim që vërtetë kjo po ndodh, unë mendoj që gëzimi në atë kohë dhe gjithçka që kemi përjetuar ka qenë diçka e veçantë”, u shpreh tutje ai.
