Lushaku pranon rezultatin: Kësaj radhe mbes jashtë Kuvendit të Prishtinës, por përkushtimi im për qytetin vazhdon

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Asamblenë Komunale të Prishtinës, njëherësh Drejtor i Drejtorisë së Mobilitetit, Donat Lushaku, me numër rendor 11, ka reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale duke bërë të ditur se kësaj here nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kryeqytetit.

Në një postim publik, Lushaku ka falënderuar qytetarët, miqtë dhe familjarët për mbështetjen e dhënë gjatë garës duke theksuar se, sipas trendit aktual, rezultati i tij është i dobët dhe nuk i siguron atij një vend në Kuvend.

“Sipas trendit aktual rezultati im në këto zgjedhje është i dobët, dhe për të qenë korrekt e i sinqertë me secilin prej jush që po më pyesni – kësaj radhe do të mbes jashtë listës përfaqësuese në Kuvendin e Kryeqytetit,” ka shkruar ai.

Lushaku ka theksuar se procesi zgjedhor po zhvillohet pa vërejtje dhe me transparencë të plotë, ndërsa ka falënderuar komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së për angazhimin e tyre në Qendrën e Numërimit “1 tetori”.

Ai u shpreh se do të reflektojë pas përfundimit të numërimit përfundimtar duke theksuar se e pranon me dinjitet verdiktin qytetar.

“Pesha e votës e përcakton edhe peshën politike. E pranoj verdiktin qytetar pa asnjë kontestim dhe asnjë vërejtje. Përkushtimi për qytetin tim të lindjes e të rritës do të vazhdojë, me gjasë në forma të tjera,” ka shtuar Lushaku.

Ai e përmbylli reagimin e tij me një mesazh mirënjohjeje: “Ju përqafoj e ju falënderoj secilin për mbështetjen!”. /Kosova.info/


Go to TOP