Lufta e shtetit ndaj lëmoshëkërkuerjes, Murati: E rëndë situata me të cilën po ballafaqohemi
Situata në Kosovë me rastet e fëmijëve lëmoshëkërkues, është shumë e rëndë, po vlerëson Riza Murati, shef i sektorit qëndror të Hetimeve në Drejtorinë për hetimin e trafikimit me njerëz në Policinë e Kosovës.
Ai në Info Magazine, u shpreh se për këtë, Policia e Kosovës, ka organizuar edhe kampanja vetëdijësuese, ku u kërkohet qytetarëve që t’mos u jepen para fëmijëve të cilët i hasin në rrugë.
”Situata me të cilën po ballafaqohemi është e rëndë. Dhe kemi një numër të madh të rasteve të fëmijëve në rrugë. Ne e dimë që ka në çdo vend të botës formë të kërkimlëmoshës, por ajo çfare e kemi tek ne është vërtetë formë e rrezikut për fëmijë që dalin në rrugë dhe mënyra se si ata kërkojnë lëmoshë shihet shumë qartë”.
”Ka shumë faktorë që ndikojnë pse ata janë në rrugë, por në bazë të mandatit që ne kemi, ne duhet të reagojmë. Janë 27 raste, kallëzime penale që kanë shkuar në prokurori. Një rast ka qenë trafikim në njerëz ndërsa si statistikë që ne kemi identifikuar, janë 107 fëmijë që janë hasur duke kërkuar lëmoshë në rrugët e qyteteve të Kosovës por që numri më i madh i tyre është nëpër qytetet kryesore”.
”Kur është fëmija në rrugë, veprohet në interesin më të mirë të fëmijës. Kemi pa shembuj të mirë, që në momentin kur është arrestuar si prind, e ka kuptu se s’duhet vepruar ashtu asnjëherë”.
”Ne kemi një spot, ku kemi kërkuar nga qytetarët që të vetëdijësohen që të mos japin para fëmijëve në lëmoshë, t’u heqen paratë nga duart e fëmijëve sepse ata mund të abuzohen qoftë nga prindi, apo qoftë nga trafikantët”.
”Në Kuadër të planit të saj, policia harton plane operative në identifikimin e fëmijëve kërkimlëmoshë, apo punë të detyruara që kryejnë në rrugë si viktima të mundshme të trafikimit me njerëz. Qëllimi kryesor është identifikimi i hershëm i viktimave të trafikimit, nëse eventualisht kemi të bëjmë me trafikim me njerëz”.
”Nga këto operacione që ne kemi përmend nuk ka rezultuar me vepër penale të trafikimit me njerëz, por kishim të bëjmë me keqtrajtim apo abuzim me fëmiun. Për këtë vit ka dy viktima të trafikimit në formën e kërkimlëmoshës. Ka pasur raste kur kemi identifikuar personat që nuk kanë qenë prind, por që kanë qëndruar prapa këtyre fëmijëve që kanë qenë të detyruar të kryejnë këtë punë”.
