Loci emërohet trajner i Kosovës për ndeshjen ndaj Shqipërisë

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), të mërkurën, ka zyrtarizuar emërimin e Bujar Locit si përzgjedhës të Kombëtares së Kosovës të Meshkujve për ndeshjen kundër Shqipërisë, e vlefshme për parakualifikimet e FIBA EuroBasket 2029.

Vendimi është marrë më 19 nëntor 2025 nga Bordi i FBK-së, në përputhje me Statutin dhe bazuar në propozimin e kryetarit Arben Fetahu.

Përveç Locit, në stafin teknik për sfidën ndaj Shqipërisë janë emëruar edhe Petrit Zeqiri dhe Andin Rashica, të cilët do të veprojnë si ndihmëstrajnerë. Në parakualifikime, Kosova bën pjesë në grupin me Shqipërinë dhe Sllovakinë.

Kush është Bujar Loci?

Bujar Loci, i lindur më 5 qershor 1969 në Pejë, është një prej figurave më të njohura të basketbollit kosovar. Si lojtar i KB Pejës, ai ka fituar tri tituj kampioni, tri Kupa të Kosovës dhe një Superkupë.

Pas përfundimit të karrierës së tij si basketbollist, Loci kaloi në drejtimin e ekipeve, fillimisht si trajner i Pejës, ndërsa më vonë edhe si ndihmëstrajner i këtij klubi. Ai ka drejtuar me sukses Sigal Prishtinën, Rahovecin dhe KBF Penzën.

Prej shumë vitesh ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares së Kosovës si ndihmëstrajner, ndërsa nga edicioni i kaluar është trajner i Grapeland (Rahoveci 029), ekip që e udhëhoqi nga Liga e Parë deri në Superligë – duke u bërë trajneri i vetëm vendor në elitën e basketbollit kosovar.

Loci nuk është i panjohur as në bankinën e Kombëtares pasi në vitin 2005 ai e drejtoi Kosovën në turneun e Aleksandrisë, përballë Egjiptit dhe Rumanisë.

Ndryshimi i fundit në krye të Kombëtares

Emërimi i Locit vjen pas largimit të francezit Jean-Denys Choulet, i cili udhëhoqi Dardanët në kualifikueset e FIBA Kupës së Botës 2027. Kontrata e Choulet është ndërprerë me marrëveshje të dyanshme, ndonëse ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2024.

Me rikthimin e Bujar Locit, Kosova synon një paraqitje më të fortë dhe një fillim të ri në rrugëtimin drejt EuroBasket 2029.


Go to TOP