Vashat shqiptare U19 fitojnë ndaj Letonisë në eliminatoret për Kampionatin Evropian

Kombëtarja e Shqipërisë U19, për vajza, ka fituar fituar në ndeshjen ndaj Letonisë në kuadër të Kampionatit Evropian.
Një paraqitje shumë e mirë e vajzave kuqezi që dominuan gjithë kohës dhe morën tre pikë të merituara.

Ndeshja përfundoi me rezultat 3-1.

Trajneri Kreshnik Krepi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Spaho, Tori, Maxhalaku, Iliadhi, Troka, Çoka, Mema, Borçi, Kodra, Toma dhe Fuçia.

Vajzat kuqezi e tregojnë që në minutat e para epërsinë, duke iu afruar portës kundërshtare dhe gjejnë golin e avantazhit në minutën e 9-të me anë të Klaudia Borçit që nuk fal brenda zonës nga një ditancë e afërt. Përfaqësuesja shqiptare shfrytëzon momentin e mirë dhe vazhdon të sulmojë, duke rrezikuar disa herë. Në minutën e 20-të është Bora Fuçia e cila me një gjuajtje të fortë nga distanca mund portieren letoneze dhe shënon golin e dytë. Shqipëria e vajzave nuk mjaftohet me kaq dhe në minutën e 24-t gjen edhe golin e tretë me anë të Arlinda Kodrës pas një këmbëngulje në zonë.

Pjesa e parë mbyllet me epërsinë 3-0 të vajzave kuqezi, që kishin edhe raste të tjera për gol siç ishte traversa e goditur nga Iliadhi me një goditje nga distanca. Pjesa e dytë është më e balancuar me të dyja skuadrat që kanë raste për shënim, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Në minutën e 83-të Shqipëria mbetet me 10 lojtarë pasi mbrojtësja Rexhina Maxhalaku ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe automatikisht me karton të kuq pas një faulli në mesfushë. Letonia arrin të gjejë golin e nderit në minutën e 91-të me anë të sulmueses Evelina Uspalevica.

Go to TOP