Llapi fiton pastër kundër Suharekës
Llapi e ka mposhtur bindshëm Suharekën në ndeshjen e Javës së shtatë të Superligës së Kosovës.
Rezultati në takimin e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ka qenë 3-0.
Serinë e golave për skuadrën vendase e ka hapur Baftiu në minutën e njëzet e shtatë, duke siguruar avantazhin për Llapin, me të cilin është mbyllur edhe pjesa e parë.
Në pjesën e dytë, Llapi e ka shtuar epërsinë me golin e Januzit në minutën e pesëdhjetë e një, ndërsa Ramadani e ka vulosur fitoren me golin e tretë në minutën e parë të kohës shtesë.
Kjo humbje është e para për Suharekën që kur është inkuadruar në Superligë.
Me këtë fitore, Llapi kalon në krye të tabelës me trembëdhjetë pikë, po aq sa ka edhe Malisheva në vendin e dytë dhe Suhareka në vendin e tretë.