Lladrovci: Nuk do të ndaloj së jetuari normalisht, edhe në Kosovën e lirë!
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar ndaj komenteve të bëra gjatë ditëve të fundit në lidhje me një drekë të tij publike, të zhvilluar në një lokal me shumë mysafirë. Ai ka bërë të ditur se takimi ishte personal, me mbesën e një shoku të idealeve të tij duke theksuar se nuk do të lejojë që jeta normale të shndërrohet në diçka të padurueshme.
“Mbaj mend gjatë dhe e di kush i ka thënë kujt kriminel, e di kujt ia dedikova fitoret, e di çfarë nuk dua, por jetën normale nuk guxojmë ta bëjmë të padurueshme”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka shtuar se me kalimin e viteve, politika në Kosovë po shndërrohet në një arenë që kërkon vetëm viktima, pa interesim real për të ardhmen e vendit.
“Kur një drekë e lidhur me temë personale nxit kaq reagime, merrni me mend sa do të nxiste reagim dreka e përbashkët e krerëve politik të Kosovës që do të donin të dilnin nga gjendja ku gjendemi,” ka theksuar ai.
Në fund, Lladrovci u shpreh i vendosur se nuk do të ndalet së jetuari si qytetar i lirë:
“Deficitet nuk shërohen me denoncime, do të vazhdoj të kem dreka, si çdo qytetar i lirë, në Kosovën e lirë!”. /Kosova.info/
