Lladrovci kërkon hapje të PDK-së: Kosovës i duhet kthesë e fortë dhe përfshirje e personaliteteve me peshë

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje për një hapje të gjerë të PDK-së ndaj personaliteteve të respektuara që aktualisht nuk janë pjesë e skenës politike duke e konsideruar këtë si domosdoshmëri në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Sipas tij, vendi gjendet në një moment vendimtar dhe ka nevojë për një “kthesë të fortë” që do të rikthente kompetencën, seriozitetin dhe përfaqësimin e duhur në institucionet e Kosovës.

Lladrovci u shpreh se PDK-ja do të forcohej dukshëm me përfshirjen e figurave të njohura si Sylejman Selimi, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Atifete Jahjaga, Buna Mustafa, Kolë Krasniqi, si dhe vajzat e Profesor Çettës, Agata e Donika. Ai theksoi se personalitete të tilla do t’i jepnin skenës politike dimension të ri dhe të nevojshëm profesional.

Duke kujtuar përbërjen e degës së PDK-së në Prishtinë dy dekada më parë, Lladrovci theksoi se atëbotë aty vepronin dhjetëra profesorë e doktorë shkencash, të cilët sot mungojnë si në PDK ashtu edhe në Parlamentin e Kosovës.

“Kosovës i duhet qartësim i rrugës dhe i vlerave mbi të cilat është ndërtuar. Me vullnet dhe përkushtim, fitorja arrihet,” deklaroi Lladrovci duke bërë thirrje për mobilizim të brendshëm dhe rikthim të kapaciteteve profesionale në jetën politike të vendit. /Kosova.info/


Go to TOP