Lladrovci flet pas dorëheqjes së Sejdi Hoxhës: Nuk i bën mirë as degës dhe as elektoratit
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar dorëheqjen e kryetarit të degës së PDK-së në këtë komunë, Sejdi Hoxha.
Lladrovci përmes një postimi në Facebook, ka thënë që dorëheqja nuk i bën mirë as degës e as elektoratit.
“Për shkak të interesimit të shumë mediave, pyetjeve të parashtruara rreth dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Sejdi Hoxha, deklaroj si vijon:Dorëheqja e Hoxha nga kreu i degës së PDK-së në Drenas, nuk është lajm i mirë. Aq më pak, në kohën kur bëhet i ditur akti moral i tij.Partia Demokratike e Kosovës, niveli qendror e lokal është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale. Kjo dorëheqje nuk i bën mirë as degës, as elektoratit e as garës elektorale”.“Dorëheqjen e z. Hoxha e shoh me keqardhje edhe si kandidat i PDK-së për mandatin e dytë në krye të Drenasit. Organizimi i strukturave lokale të PDK-së në Drenas ka qenë çdo herë i suksesshëm dhe e kemi dëshmuar me fitoren e përhershme, nga zgjedhjet e para e deri më sot. Këtë e ka dëshmuar edhe z. Hoxha gjatë mandatit të tij. Gjithsesi, Hoxha i uroj sukses në punë dhe vazhdimin e aktivitetit politik, në adresën e vetme dhe të sigurt për mirëqenien e qytetarëve të Drenasit, PDK-në”, ka shkruar ai.