Lladrovci: Aksioni amerikan ndaj Maduros ishte i pashmangshëm, drejtësia nuk kursen askënd

Ish-kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me ndërhyrjen e njësive elitare amerikane për kapjen e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro duke e cilësuar këtë veprim si të pritshëm dhe të bazuar në vendime të drejtësisë amerikane.

Sipas Lladrovcit, aksioni është realizuar në zbatim të urdhrit të gjykatësve amerikanë dhe me miratimin e Presidentit Donald Trump, si pasojë e veprimeve të Maduros që, sipas tij, kanë nxitur zemërimin e drejtësisë amerikane. Ai thekson se Maduro tashmë do të përballet me drejtësinë për veprimet e tij.

Lladrovci vlerëson se reagimi i Presidentit Trump lidhet drejtpërdrejt me rrezikun që Maduro dhe bashkëshortja e tij kanë paraqitur për kontinentin amerikan duke shtuar se “kriminelët e veshur me pushtet mund të ndihen të sigurt vetëm për pak sekonda”.

Ai shpreh gjithashtu pritshmëri pozitive ndaj institucioneve të Kosovës duke theksuar se një reagim i shpejtë i Kryeministrit dhe Presidentes në përkrahje të aksionit amerikan do të ishte sinjal i mirë për aktualitetin politik të vendit.

“Në këtë kohë të diktatorëve të vegjël dhe shpërdoruesve të besimit qytetar, por edhe të lëndëve të para strategjike, Trump i duhet botës”, përfundon Lladrovci në reagimin e tij. /Kosova.info/


Go to TOP