Liverpool fiton dhe i afrohet titullit
Liverpool ka marrë një fitore të madhe 2-1 ndaj West Ham në “Anfield”, duke u afruar ndjeshëm me titullin e Premier League.
Ndeshja ka nisur mbarë për Liverpool, i cili ka kaluar në epërsi në minutën e 18-të me një gol të Luis Diaz, pas një asistimi nga Mohamed Salah.
West Hami ka pasur disa raste të mira për të barazuar. Carlos Soler është ndalur nga Alisson, ndërsa Mohammed Kudus e ka goditur traversën me një gjuajtje nga distanca. Në fundin e pjesës së parë, Mavropanos ka gjuajtur me kokë vetëm pak mbi portë.
Liverpooli e ka nisur fuqishëm pjesën e dytë. Alexis Mac Allister ka gjuajtur fort, duke e detyruar Areola ta devijonte topin në shtyllë. Por miqtë nuk janë dorëzuar. Soler dhe Bowen kanë pasur dy mundësi të arta për të barazuar, por Alisson ka qenë i pakalueshëm.
Barazimi ka ardhur në mënyrë dramatike në minutat e fundit, kur një largim i Van Dijk ka përfunduar në këmbët e Andy Robertson dhe ky e ka devijuar topin në rrjetën e vet.
Megjithatë, Liverpooli nuk është dorëzuar. Në fundin e ndeshjes, ka qenë kapiteni Virgil van Dijk që ka shënuar me kokë pas një këndore të Mac Allister, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij dhe duke e sjellë edhe më pranë titullit të 20-të në histori.
Me këtë triumf, kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje nga fundi i sezonit,“The Reds” kryesojnë me 13 pikë epërsi ndaj Arsenal në vendin e dytë.
