Liderët e BE-së nuk dakordohen për postet bartëse të institucioneve

Liderët e Bashkimit Evropian kanë dështuar që të dakordohen lidhur me bartësit e institucioneve për mandatin e ri pesëvjeçar.

Mungesa e epilogut pozitiv të takimit ishte pasojë e mosmarrëveshjeve mes liderëve që i takojnë grupimeve të ndryshme politike lidhur me mënyrën si të shpërndahen postet.

Presidenti në largim i Këshillit Evropian, tha në fund të takimit se liderëve u nevojitej më shumë kohë.

“Nuk ka marrëveshje në këtë fazë. Partitë politike po luajnë një rol dhe kjo është e natyrshme në një moment të tillë politik. Partitë i bënë propozimet. Secila tani e ka rastin që në ditët në vijim të punojnë tutje për të përgatitur vendimet që duhet të merren”, tha Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Krerët e institucioneve të BE-së duhet të përfaqësojnë ato parti të cilat kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane që u mbajtën mes 6 e 9 qershorit.

Ishte menduar se do të jetë samit i shpejtë, meqë paraprakisht ekzistonte ujdia joformale lidhur me emrat e rinj: Ursula von der Leyen për president të Komisionit Evropian, ish-kryeministri portugez Antonio Kosta për president të Këshillit Evropian si dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas për shefe të diplomacisë evropiane.

Vendimi për emrat e krerëve të institucioneve të BE-së synohet të merret në samitin e ardhshëm që do të mbahet në fund të javës tjetër.

Go to TOP