1Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nderon ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, teksa arkivoli i saj arrin në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit më 27 prill 2022.2Në ceremoninë përkujtuese kushtuar ish-sekretares Albright morën pjesë edhe ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton. 3Në fjalimin e tij, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Madeleine Albright ka ndryshuar rrjedhën e historisë. Ai tha se Albright, në cilësinë e sekretares së Shtetit ndihmoi në ndaljen e gjenocidit në Ballkanin Perëndimor. 4Në ceremoninë përkujtuese morën pjesë edhe ish-sekretarët e Shtetit, Condoleezza Rice dhe John Kerry, si dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. 5Albright ishte emëruar sekretare e Shtetit në mandatin e dytë presidencial të Bill Clintonit. Ajo ishte gruaja e parë që ka shërbyer në këtë post. 6Ish-presidenti Bill Clinton në fjalimin e tij kujtoi vizitën e fundit që kishte realizuar me ish-sekretaren Albright në Kosovë dy vjet më parë. Ai tha se ajo ishte një ditë e lumtur për të dy, teksa morën pjesë në zbulimin e bustit në Prishtinë dedikuar ish-sekretares Albright. 7Në ceremoninë përkujtuese kushtuar ish-sekretares Albright morën pjesë rreth 1,400 persona, përfshirë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. 8Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se bota duhet të ndjekë shembullin e Albrightit dhe të ngrihet kundër diktatorëve dhe demagogëve. 9Vajzat e ish-sekretares Albright, Anne, Katharine dhe Alice, kujtuan nënën e tyre gjatë ceremonisë të mbajtur në Uashington më 27 prill. 10Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright vlerësohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që aleanca e NATO-s të ndërhynte në Kosovë, ndërhyrje që çoi në çlirimin e Kosovës.11Madeleine Albright vdiq nga kanceri në moshën 84-vjeçare.