Letër e hapur nga Troja Muja për Kurtin: Jam nxënëse e shkëlqyer, por sistemi i padrejtë më la jashtë Mjekësisë
Troja Muja, një nxënëse e dalluar nga Mitrovica, i është drejtuar me një letër publike Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi nuk është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë, pavarësisht rezultateve të larta gjatë gjithë shkollimit.
Në letrën e saj, Muja thekson se ka përfunduar 12 vite shkollim me nota maksimale, pa mungesa e pa përsëritje duke u përkushtuar plotësisht ndaj dijes dhe ëndrrës për t’u bërë mjeke. Ajo tregon se në testin e arritshmërisë mori 64 pikë, ndërkohë që shumë të tjerë që, sipas saj, nuk kishin ndërtuar kurrë një bazë të qëndrueshme akademike, dolën me mbi 90 pikë përmes kopjimit dhe mungesës së kontrollit.
“Pse? Sepse aty nuk fitoi dija, por mundësia për të kopjuar lirshëm, pa kontroll, pa drejtësi,” shkruan Muja. Ajo shton se, ndonëse ka arritur të plotësojë 75% të testit në Fakultetin e Mjekësisë me dije dhe mund, përsëri është lënë jashtë.
Në letrën e saj emocionuese, ajo i drejtohet Kurtit jo vetëm si kryeministër, por edhe si prind duke e pyetur nëse do të kishte heshtur nëse vajza e tij do të përballej me një padrejtësi të tillë.
“Ju kërkoj drejtësi. Jo për mua si individ, por për të gjithë ne që besuam se suksesi vjen nga përpjekja e ndershme,” përfundon ajo. /Kosova.info/
