Legalizoni pronat, pastaj kërkojuni tatim mërgimtarëve!

Letër e hapur kryeparlamentarit Glauk Konjufca

Shkruan: Florim ZEQA 

Duke shpresuar në orientimin tuaj të pastër kombëtar, traditën e shëndoshë familjare, integritetin tuaj personal dhe professional, veprimtarinë dhe kontributin tuaj atdhetar, unë si mërgimtarë po ju drejtohem me këtë letër të hapur publike, për inicimin e një ligji të veçantë mbi pasuritë e patundshme të mërgimtarëve.

Të lirohen me ligj oligimet tatimore për shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve

I nderuari kryeparlamentar Konjufca, mërgimtarët janë arteria më e pastër dhe më e shëndoshë e qenjes sonë komëtare, janë shpirti dhe fuqia më e madhe ekonomike e dhe patriotike këtij vendi.

Të hyrat vjetore të mërgatës në Kosovë apo ‘remitencat’ siç quhen në zhargonin politik janë më të larta sesa gjysma apo afërsisht sa buxheti i shtetit të Kosovës.

Secili bashkatdhetar që vjen nga mërgata për pushime i shpenzon me mijëra euro në Kosovë, kurse çdo familje kosovare me rastin e ardhjes në vendlindje gjatë pushimeve verore i shpenzon me dhjetëra mijëra euro apo edhe më shumë.

Andaj është pak më tepër se paradoksale të ngarkohen mërgimtarët edhe me tatim mbi pronë për shtëpitë e pabanuara, të cilat i shfrytëzojnë vetëm një muaj brenda vitit e nganjëherë edhe më pak se kaq.

Nëse vazhdohet me këtë trend të gjobitjes të mërgimtarëve me tatimet mbi pronë për shtëpitë e pabanuara, me koston mujore të energjisë së pashfrytëzuar dhe pagesat për lidhje të internetit të pashfrytëzuar do t’i kthehet bumerang buxhetit të shtetit, ngase mërgimtarët do t’i rrallojnë vizitat në vendlindje, gjë e cila do të ndikojë dukshëm në uljen e ‘remitencave’ dhe do të bien investimet e mërgimtarëve në shtetin e tyre!

Jam i sigurt për këtë dhe flas me përgjegjësi morale se secili mërgimtar, në momentin e riatdhesimit në vendlindje, me vetë dëshirë do t’ju nënshtrohet të gjitha obligimeve ligjore ndaj shtetit.

Të bëhet vlerësim real e jo paushall i pronave të mërgimtarëve

Meqenëse shumica e mërgimtarëve në sistemin anagrafik dhe kadastal ende rezultojnë në bashkësi familjare të 30 apo 50 viteve më parë dhe asnjë pronë (parcelë toke apo shtëpi) nuk ekziston në emrin e tyre personal, madje as shtëpitë e ndërtuara para dhe pas lufte.

Të detyrohen shërbimet kadastrale për ndarjen dhe bartjen e pronave të familjeve të reja të cilat deri dje kanë jetuar në një bashkësi familjare. Angazhimi i punëtorëve shtesë për matjen dhe regjistrimin e pronave nëpër çdo njësi komunale dhe thjeshtësimi i procedurave burokratike do të ndikonte pozitivisht në rritjen e buxheteve komunale dhe forcimin e shtetit në përgjithësi.

E konsiderojë se ngarkimi me tatim mbi pronë përveçse i paligjshëm dhe i padrejtë në aspektin juridik, është i papranueshëm në aspektin moral përderisa mërgimtarët nuk jetojnë në ato shtëpi dhe nuk i shfrytëzojnë pronat e tyre.

Andaj i nderuari kryeparlamentar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, në emrin tim personal dhe të qindra mijëra e miliona bashkatdhetarëve, ju lutem që këtë çështje ta ngirsni për shqyrtim në Kuvend dhe të kërkoni nga ATK-ja dhe Qendra e Tatimit në Pronë (QTP) që të merr në konsideratë kërkesën për regjistrimin në mënyrë të rregullt dhe të plotë të pasurive të paluajtshme të mërgimtarëve përmes Zyrave Kadastale, gjegjësisht përmes ekspertëve profesional për caktimin e cilësisë së tokës dhe matjeve ekzakte të shtëpive duke i kategorizuar sipas kritereve dhe standardeve të ndërtimit e jo sipas përkatësisë partiake apo njerëzëve që i pyesin në rrugë, “E kujt është kjo shtëpi” dhe mbaroj puna!

Imazhet Satelitore e vërtetojnë gjëndjen fizike të shtëpive por e nuk e vërtetojnë kualitetin dhe pronësinë e tyre. Për shkak se pronarë faktik të shtëpive të mërgimtarëve nuk janë baballarët, por trashëgimtarët e tyre, të cilët mund të jenë djemtë apo vajzat, e në disa raste nipat dhe mbesat e tyre!

Ekziston gatishmëria e mërgimtarëve për të kontribuar në shtetin e tyre

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Konjufca, ne mërgimtarët jemi të gatshëm për kryerjen e të gjitha obligimeve në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë hezitim ndaj shtetit tonë, por jo në mënyrë klandestine dhe në formë të haraçit siç ka ndodhur në Kosovën e pasluftës dhe po ndodhë edhe në ditët e sotme.

Janë edhe shumë aspekte abuzive që bëhen nëpër qendrat komunale dhe zonat rurale rreth tatimit në pronë, rrëfimi për të cilat do të ishte rrëqethës për qytetarët e Kosovës, duke filluar nga hedhja e faturave mbi pullazet e shtëpive e deri tek manipulimet që bëhen në qendrat kadastale komunale…

Sikurse ky shqetësim i imi që nuk është i këndvështrimit partiak, as adresimi i kësaj çështje ndaj jush nuk është ndaj një zyrtari partiak, por ndaj njërit prej zyrtarëve më të lartë shtetërorë, në këtë rast ndaj kryetarit të organit më të lartë ligjvënës në vend, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Edhe përkundër dyfishimit të faturave të ‘tatimit mbi pronë’, gatishmëria e mërgimtarëve për të kontribuar në vendin e tyre është shumëfish më e madhe sesa pagesa e tatimit në pronë, por, kur kjo bëhet në mënyrë selektive dhe diskriminuese, atëherë rrezikon të kthehet në bumerang të keq ndaj buxhetit të shtetit dhe shtetit në përgjithësi.

Që kjo të mos ndodh, ju lutem të ndërmerrni të gjitha masat ligjore për suspendimin e tatimit në pronë për të gjitha shtëpitë e pabanuara të mërgimtarëve, derisa të kanalizohen të gjitha aspektet juridike të regjistrimit dhe bartjes së pronësisë, pa anashkaluar borxhin moral që ka shteti ndaj mërgimtarëve.

Sinqerisht dhe me respekt

Go to TOP