LDK zyrtarizon Arbër Ismajlin kandidat për kryetar të Gjilanit – Haziri: Gjilani ka nevojë për vizionin e tij

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Arbër Ismajlit për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale. Lajmi u bë i ditur nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili theksoi se ky vendim është rezultat i një procesi të kujdesshëm konsultimi me Kryesinë e Degës së partisë në Gjilan.

“Z. Arbër Ismajli do të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Gjilanit. Ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve,” deklaroi Haziri.

Ai vlerësoi lart kontributin shumëvjeçar të Ismajlit, si nënkryetar i komunës dhe aktivist i LDK-së për tri dekada duke e cilësuar si pjesë të “gjeneratës së artë” të partisë. Haziri e përshkroi atë si një njeri të përgatitur, të qetë në vendimmarrje dhe të guximshëm në veprim, që ka treguar përkushtim dhe profesionalizëm në shërbim të qytetarëve.

“Nominimi i tij është vendim i përbashkët i imi dhe i Kryesisë së Degës sonë në Gjilan, si shprehje e bindjes sonë se ai do të dijë ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet, me përkushtim dhe me dashuri për qytetin,” shtoi Haziri duke i uruar Ismajlit sukses në garën zgjedhore. /Kosova.info/

Go to TOP