LDK zyrtarizon Arben Limanajn si kandidat për kryetar të Klinës 

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë ka zyrtarizuar kandidaturën e z. Arben Limanaj për Kryetar të Komunës së Klinës, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në njoftimin zyrtar thuhet se LDK do të hyjë në këtë garë me përkushtim të plotë, me një ekip të konsoliduar dhe me mbështetjen e qytetarëve që besojnë në vlerat themelore të kësaj partie: zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, transparencën në qeverisje dhe forcimin e institucioneve lokale.

Z. Arben Limanaj, i njohur për përvojën e tij në jetën publike dhe integritetin personal, është cilësuar si përfaqësuesi më i denjë i vizionit të LDK-së për një qeverisje moderne, të hapur dhe të ndershme në Komunën e Klinës.

“Me këtë kandidaturë, LDK riafirmon vendosmërinë për të qenë një alternativë e qartë dhe e fuqishme ndaj qeverisjes aktuale, duke ofruar zgjidhje konkrete për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës – nga infrastruktura te shërbimet publike, nga bujqësia te rinia, nga arsimi te shëndetësia”, thuhet në deklaratë.

LDK thekson se ndryshimi i shumëpritur në Klinë është i mundur dhe fillon me qytetarët – me përfshirjen e tyre aktive dhe me mbështetjen për një kandidat që di të dëgjojë, të bashkëpunojë dhe të udhëheqë me përgjegjësi.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Klinës që t’i bashkohen kësaj rruge të përbashkët për një të ardhme më të mirë. Së bashku, e bëjmë ndryshimin!”, përfundon njoftimi. /Kosova.info/


Go to TOP