LDK si zgjidhje sheh dorëheqjen e kryeministrit dhe shpërbërjen e Kuvendit

LDK duke iu referuar zhvillimeve të fundit në skenën politike tha se zgjidhja është fare e thjeshtë, dorëheqja e Kryeministrit dhe pastaj, si rrjedhojë, shpërbërja e Kuvendit.

“Pas tre vjet e gjysmë populizëm dhe pa ndonjë progres thelbësor, pas tre vjet e gjysmë polarizimi, ndarjeje shoqërore e nxitje të propagandës pa asnjë konsideratë njerëzore e politike, Kryeministri i Kosovës ka zgjedhur instrumentalizimin e opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh. Fatkeqësisht, në këtë instrumentalizim, ka gjetur aleatin”, thekson zyra pwr informim e LDK.

LDK-ja thekson se nuk e pranon këtë instrumentalizim në asnjë rrethanë.

“LDK-ja është e gatshme të kërkojë besim qytetar, e gatshme të marrë përgjegjësinë para sfidave, e gatshme të implementojë “Rrugën e Re” si program zhvillimor, të djathtë e euroatlantik.

Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”.

LDK-ja konsideron se, në këto ditë vendimtare, fokusi i institucioneve dhe i partive politike duhet të jetë te çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, proces të cilin, me papërgjegjshmërinë e tij, e ka rrezikuar rëndë vetë Kryeministri.

“LDK-ja e refuzon farsën e darkave si mbulesë të një uniteti politik që u përbuz kur u ofrua tash e tre vjet e gjysmë. LDK-ja thërret për një unitet të djathtë gjithëkombëtar, si lidhje përtejpartiake, si lëvizje shpëtimtare. Gjendja e tanishme, politike, ekonomike, diplomatike e sociale kërkon lidership të ri në Kosovë. Rëndesa ekonomike, pagat e ulëta, çmimet e l arta, sistemi shëndetësor i rrënuar e arsimi i mbetur prapa, sikurse dhe ngecjet enorme integruese për në BE e anëtarësuese për në NATO, po shkaktojnë çdo ditë zbrazjen e Kosovës, me nga 173 qytetarë duke u larguar nga vendi ynë çdo ditë e secilën ditë”, thekson ky subjekt.

LDK-ja ne vijim tha nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje të prearanzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave. “LDK-ja fton të gjitha palët politike, që në këtë kohë, të kërkojnë dhe të punojnë vetëm në drejtim të dorëheqjes legale të Kryeministrit, sepse ajo faktike tashmë ka ndodhur’. /Kosova.info/

Go to TOP