LDK rifunksionalizon Kolegjiumin e degëve në Prishtinë, synon koordinim dhe forcim të strukturave
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar anëtarësinë e saj për rifunksionalizimin e Kolegjiumit të degëve të Prishtinës, në kuadër të procesit të riorganizimit të brendshëm dhe në përputhje me autorizimet e dala nga Kuvendi i partisë.
Sipas njoftimit, ky mekanizëm do të shërbejë si një platformë e përbashkët për koordinim dhe vendimmarrje duke synuar forcimin e strukturave të LDK-së në Kryeqytet. Përmes Kolegjiumit, pritet të harmonizohen qëndrimet politike të partisë për çështjet që lidhen me Prishtinën duke siguruar një qasje të unifikuar dhe të përgjegjshme në përfaqësimin politik dhe institucional.
Në vijim të këtij procesi, LDK ka bërë të ditur se së shpejti do të miratohen aktet normative të Kolegjiumit, të cilat do të përcaktojnë organizimin, kompetencat dhe mënyrën e funksionimit të tij, me synim rritjen e efikasitetit dhe transparencës në veprimtarinë politike.
Po ashtu, është paralajmëruar edhe një takim i afërt me asamblistët e LDK-së në Prishtinë, me qëllim të koordinimit të mëtejshëm të veprimit politik në Kuvendin Komunal dhe avancimit të qëndrimeve të përbashkëta.
LDK thekson se angazhimi i saj mbetet i fokusuar në zbatimin e programit për Kryeqytetin duke synuar përmirësimin e shërbimeve publike, zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.
Ky hap, sipas njoftimit, synon konsolidimin e mëtejshëm të LDK-së si alternativë kryesore e djathtë dhe forcimin e përfaqësimit të saj në Prishtinë, përmes një veprimi të koordinuar dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete. /Kosova.info/
