LDK Qeveria e paaftë fillon me rritje të tatimit duke goditur qytetarët

LDK e ka quajtur të paaftë qeverinë e Kosovës pasi që ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Ata e kanë cilësuar vendimin si një goditje tjetër të papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend.

“Për shkak të rritjes së barrës tatimore – si rezultat i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave – qytetarët e Kosovës kanë filluar të pranojnë faturat e tatimit në pronë me rritje deri në dyfishim. Kjo ngarkesë shtesë, në kohë të krizës së çmimeve, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Vendimet e Ministrisë pa koordinim, janë papërgjegjësi. Me këtë shkallë enorme të inflacionit, në mungesë të rritjes së ardhurave, në rëndesë ekonomike, kjo politikë e Qeverisë na shpërfaqet si një tjetër dështim i madh. Në kohë të papërballueshmërisë, ky është një veprim tjetër i papërgjegjshëm i pushtetit që tashmë veçse është larguar nga qytetari”, thekson LDK .

Me këtë rast LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikoj të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu Ministria e Financave sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e ri për tatimin në pronë në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet komunave ulja e pragut të normës tatimore. /Kosova.info/

Go to TOP