LDK konfirmon kandidaturën e Imri Ahmetit për Lipjanin – Garanci për vazhdimësi dhe zhvillim të qëndrueshëm
Në një atmosferë të mbushur me entuziazëm dhe mbështetje të fuqishme nga baza, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pranuar zyrtarisht nominimin e strukturave të degës për Imri Ahmetin si kandidat të Lidhjes Demokratike të Kosovës për një tjetër mandat në krye të Komunës së Lipjanit.
Ky nominim vjen si rezultat i performancës së dëshmuar të Ahmetit dhe përfaqësimit të vlerave thelbësore të LDK-së në qeverisjen lokale. Gjatë mandateve të tij, Komuna e Lipjanit është transformuar në një model të qeverisjes së përgjegjshme dhe efikase, me investime të mëdha në infrastrukturë, arsim, rini, kulturë dhe zhvillim ekonomik.
“Imri Ahmeti është kryetar që garanton vazhdimësinë e zhvillimit të qëndrueshëm, qeverisjen me përgjegjësi dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve të Lipjanit,” theksoi Abdixhiku duke shtuar se Lipjani është shembull i qeverisjes që vendos qytetarin në qendër të politikës komunale.
Nën drejtimin e Ahmetit, Komuna e Lipjanit ka fituar reputacionin si një ndër komunat më të suksesshme në vend duke dëshmuar se një model i mirëfilltë i qeverisjes është i mundur kur në krye janë njerëz me integritet, vizion dhe përkushtim.
LDK hyn në zgjedhjet lokale me vetëbesim të fortë, të armatosur me një program konkret, vizion të qartë dhe një ekip njerëzish me kapacitet profesional dhe përfaqësim të denjë.
Partia ka hyrë në fazën përgatitore intensive për zgjedhjet lokale, me mobilizim të plotë të strukturave, takime me qytetarë, konsultime programore dhe përzgjedhje të kandidatëve më të mirë për të gjitha komunat në mbarë vendin. /Kosova.info/
