LDK-ja kërkon vendim të drejtë nga Kushtetuesja për zhbllokimin e institucioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur sot besimin e saj të plotë se Gjykata Kushtetuese do të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe do të japë një vendim të drejtë në lidhje me bllokadën aktuale institucionale në vend.

Në deklaratën e saj, LDK thekson se lënda e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ka në thelb një fakt të pakontestueshëm: subjekti politik që ka dalë i pari në zgjedhje nuk ka zbatuar agjendën e seancës konstituive të Kuvendit duke refuzuar të propozojë kandidat për Kryetar të Kuvendit.

“Përkundrazi, me insistim të përsëritur – plot 48 herë – është kërkuar votim jashtë rendit të ditës dhe jashtë procedurës kushtetuese, në vend se të propozohej kandidati për Kryetar Kuvendi siç kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas saj, kjo qasje ka prodhuar një bllokadë të qëllimshme institucionale dhe ka dëshmuar se subjekti fitues nuk ka pasur as vullnetin dhe as kapacitetin për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë që i takon në bazë të rezultatit zgjedhor.

LDK ka rikujtuar vendimet e mëhershme të Kushtetueses dhe parimet themelore të funksionimit të sistemit parlamentar duke theksuar se nëse subjekti i parë dështon të sigurojë shumicë, atëherë e drejta për të propozuar kandidatin për Kryetar Kuvendi duhet t’i kalojë shumicës parlamentare.

“Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik,” potencon LDK.

Në fund, partia thekson rëndësinë e rolit të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e funksionimit institucional dhe mbrojtjen e rendit demokratik duke theksuar pritjen për një vendim të drejtë dhe në përputhje me frymën e Kushtetutës – që do t’i hapte rrugë shumicës parlamentare për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe për të rikthyer normalitetin institucional.

LDK shprehet e përkushtuar për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP