LDK e AAK kundër draftit aktual të Asociacionit, të gatshme për zgjedhje

Deputetët e opozitës, Rrezarta Krasniqi e LDK-së dhe Pal Lekaj i AAK-së, janë deklaruar në lidhje me zhvillimet politike në vend. Ata në intervista të ndara për “Info Plus” në RTK kanë folur për krijimin e Asociacionit dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Dy opozitarët janë deklaruar kundër draftit aktual të Asociacionit.

Deputetja Krasniqi tha se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti janë të njëpasnjëshme dhe asnjëherë nuk janë qëndrestare dhe të njëjta.  “Kurti e ka pranuar Asociacionin sepse në Marrëveshjen e Ohrit, aty bën pjesë edhe Asociacioni”, tha ajo.

Duke folur për veprimet e LDK-së karshi draftit aktual të Asociacionit, Krasniqi ka thënë se gjithçka që është në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, LDK e përkrah.

“Gjithçka që është kundër Kushtetutës nuk e përkrahim. Ne i kemi qëndrimet tash e sa kohë dhe prej fillimit kemi qëndruar pas asaj, që ne e pranojmë një Asociacion që nuk ka të bëjë me kompetenca  ekzekutive dhe që është në përputhshmëri me Gjykatën Kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërsa duke folur për zgjedhjet e mundshme këtë vit, Krasniqi tha se opozita nuk ka vota, por është shumë e gatshme të shkojë në zgjedhje. Ajo tha se Kurti është vet duke e çuar vendin në zgjedhje.

Ndërkaq Pal Lekaj nga AAK, tha se sa i përket dialogut, deri tani nuk ka pasur një rezultat përfundimtar.

“Kryeministri Kurti ka ardhur me një kauzë që nuk do të ketë dialog dhe nuk do të takohet me presidentin Vuçiq, apo me zyrtarë të lartë të Serbisë, por dialogun do ta zhvillojë me qytetarët lokalë serbë. Ajo që ka ndodhur është e kundërta. Nuk kemi parë ndonjë rezultat të dialogut”, ka deklaruar Lekaj.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se draftin si Aleancë për Ardhmërie e Kosovës nuk do ta përkrahin, sepse brenda draftit, siç tha Lekaj, ka kompetenca ekzekutive që krijojnë një autonomi territoriale për serbët.

“Ajo që është me rëndësi të theksohet është që propozimi i Bashkimit Evropian është që ky draft statut të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo ta jep vlerësimin. Përndryshe nuk guxojmë që të hyjmë në lojëra të tilla që të implementohet Asociacioni që është puro-autonomi territoriale dhe një kancer i funksionimit të sistemit të Kosovës”, ka deklaruar Lekaj.

Lekaj tha se sa i preket zgjedhjeve, AAK çdo herë ka kërkuar zgjedhje duke e parë siç tha ai një keqqeverisje të kryeministrit Kurti. “Ne jemi të gatshëm kurdo që vendi të shkojë në zgjedhje që të hyjmë në garë dhe jemi të përgatitur, sepse asnjëherë nuk jemi ndalur që të komunikojmë me qytetarët”, deklaroi Lekaj.

Go to TOP