LBK i përgjigjet Kurtit: Krahasimi i protestës së bizneseve me barrikadat në veri është fyes dhe i rrezikshëm
Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili në mbledhjen e fundit të Qeverisë krahasoi protestën e paralajmëruar të komunitetit të bizneseve me barrikadat ilegale në veri të vendit.
“Koha për barrikada ka perënduar, i kemi hequr kudo që ishin ato,” tha Kurti duke aluduar se protestat e bizneseve ndjekin të njëjtën logjikë me veprimet e strukturave kriminale që kanë sfiduar rendin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Në një reagim publik, LBK shprehu “indinjatën dhe shqetësimin e thellë” për këtë krahasim duke e cilësuar atë si “të papranueshëm, fyes dhe të rrezikshëm për frymën demokratike të vendit.”
Sipas LBK-së, protesta e paralajmëruar është një reagim legjitim qytetar dhe institucional ndaj “barrës së rëndë fiskale, klimës së pafavorshme për të bërë biznes dhe mungesës së dialogut të sinqertë me institucionet.” Ata theksojnë se bizneset që përfaqësojnë – të cilat punësojnë mbi 150 mijë qytetarë ë janë shtylla e stabilitetit ekonomik dhe nuk mund të barazohen me elementë që rrezikojnë rendin kushtetues.
“Identifikimi i një proteste të ligjshme me akte antikushtetuese është gabim i rëndë politik dhe përpjekje për t’ua mbyllur gojën bizneseve që kontribuojnë çdo ditë në mirëqenien dhe zhvillimin e Kosovës,” thuhet në reagim.
LBK i bën thirrje institucioneve që të ndalin retorikën përçarëse dhe të ulen në tryezë me përfaqësuesit e sektorit privat për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. “Në një shtet demokratik, protestat janë e drejtë kushtetuese, jo ‘barrikada’, dhe partneriteti me biznesin është themel për zhvillim të qëndrueshëm – jo përplasje,” përfundon reagimi. /Kosova.info/
