Kushtetuesja nxjerr nga vetja presidentin, Meta shantazhe e presione para vendimit të shkarkimit, kërcënon Ramën, Bashën dhe ambasadorët

Pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka sjellë përkeqësim të rëndë emocional tek presidenti Ilir Meta. Ky i fundit doli dje në një konferencë të posaçme shtypi, ku firmosi kallëzim penal ndaj Kuvendit të Shqipërisë për falsifikim të dokumenteve për shkarkimin e tij, duke e cilësuar tentativë për grusht shteti. Meta njoftoi se kallëzimin penal kundër Parlamentit do ta depozitojë në SPAK. “Kam firmosur sot kallëzimin penal kundër strukturave dhe funksionarëve përgjegjës të Kuvendit me akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”. Kallëzimi penal do depozitohet në Prokurori dhe në SPAK. Krimi i falsifikimit është shumë flagrant. Këtu kemi të bëjmë me themele të Republikës që janë tronditur rëndë. Ishte përpjekje për të finalizuar një grusht shteti kundër kryetarit të Shtetit”, deklaroi ai.

Meta në gjendja të rëndë nga frika e shkarkimit

Por ajo që ra në sy në daljen publike të presidenti Ilir Meta, ishte fakti se ai ka ashpërsuar sërish tonet kundrejt kryeministrit Edi Rama, kryedemokratit Lulzim Basha dhe ambasadorëve, duke lëshuar kërcënime të forta në adresë të tyre dhe ndërkohë dukej qartë që ishte në gjendje të rënduar psikologjike. Madje kreu i shtetit u kujdes që t’iu tregonte muskujt kundërshtarët e tij, teksa huazoj një shprehje të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke u shprehur se ai ishte Ilir Meta dhe s’ka frikë askënd, deklaratë kjo që ishte edhe shantazh për Gjykatën Kushtetuese. “Kur kërcënohet rendi kushtetues, kur nxitet artificialisht një konflikt dhe ju i dini kush i ka nxitur dhe tashmë filmi dhe teatri janë rrëzuar, sigurisht që presidenti do jetë njësh me Kushtetutën me interesin publik, kombëtar me pluralizmin politik. Ta harrojnë ata që kanë menduar në mënyrë mafioze, gjithë ata rilindas vendas dhe ndërkombëtarë, vendas mavi dhe blu, se do të varrosin ‘de facto’ pluralizmin politik në Shqipëri dhe do dhunojnë popullin e Shqipërisë, do dëshpërohen pa fund. Do të marrin përgjigjen e merituar. Për këtë iu jap fjalën. Jam Ilir Meta o superbudallenj. Jo ju, ju gazetarët jeni yje”, deklaroi ai. Më tej presidenti Ilir Meta theksoi se çfarë garancie mund t’u ofrojë shteti banorëve të “5 Majit”, të cilët protestojnë për shtëpitë e tyre, kur Kuvendi i Shqipërisë falsifikon dokumentet për ta shkarkuar atë. “Çfarë mund të thuash për letrat që kërkojnë banorët e ‘5 Maj’. Çfarë garancie kemi ne si banorë të republikës se kur këta jo vetëm falsifikuan letra për t’i rrëmbyer presidentit anëtarët e GJK-së. Por edhe për të shkarkuar presidenti falsifikojnë në GJK”, nënvizoi ai.

Kushtetuesja nxjerr presidentin nga vetja

Megjithatë vonesat që po ndodhin në Gjykatën Kushtetuese, duke mos dalë me një vendim, ka bërë që Ilir Meta të dalë nga vetja dhe të shfaqet i frikësuar nga frika e shkarkimit. Madje kjo gjë u pa qartë dje gjatë konferencës për shtyp, ku presidenti u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike dhe sulmoi ndërkombëtarët, Ramën dhe Bashën, ndërkohë që të njëjtën gjuhë përdori edhe në rrjetet sociale, teksa shpërndau pjesë të fjalës së tij. “Ta harrojnë njëherë e përgjithmonë, të gjithë rilindasit vendas (mavi dhe blu) dhe ata ndërkombëtarë kudo ku janë, që do të mund të varrosin “de facto” pluralizmin politik në Shqipëri. Do të dëshpërohen pa fund! Do të marrin përgjigjen e merituar dhe për këtë ju jap fjalën! Jam Ilir Meta o superbudallenj”, shkruan presidenti Ilir Meta, krah videos së konferencës për shtyp ku njoftoi padinë për Kuvendin.

Go to TOP