Kush ia preu krahët LDK-së?
Shkruan: Emanuel DEMAJ
Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua nga Dr. Ibrahim Rugova si projekt historik i rezistencës paqësore, i unitetit politik dhe i identitetit shtetformues të Kosovës, por ajo që u ndërtua me vizion dhe sakrificë u shkatërrua më pas nga përçarjet e brendshme dhe ambiciet personale.
Goditja e parë fatale erdhi nga Nexhat Daci, kur ndarja e LDK-së dhe krijimi i LDD-së çanë themelet e partisë, ajo ndarje nuk ishte thjesht organizative, por ideologjike dhe morale, një plagë që LDK nuk e shëroi kurrë.
Sot, goditja e dytë, edhe më shkatërruese, vjen nga Lumir Abdixhiku, bashkëvendasi i Dacit, nën udhëheqjen e tij LDK jo vetëm që humbi drejtimin politik, por edhe figurat që e mbanin ende gjallë frymën rugoviane.
Largimi i Vjosa Osmanit dhe zgjedhja e Lumir Abdixhikut në krye të partisë ishin dy nga vendimet më të rënda pas Kuvendit të ndarjes mes LDK-së dhe LDD-së, vendime që e thelluan krizën dhe e zbrazën partinë nga përmbajtja e saj historike.
Ironikisht, shkatërrimi i LDK-së nuk erdhi nga kundërshtarët politikë, por nga njerëz që dolën nga brenda saj, nga ata që duhej ta mbronin trashëgiminë e Rugovës dhe jo ta relativizonin atë.
LDK u themelua nga Rugova, por u rrënua nga përçarja, ambicia personale dhe mungesa e vizionit politik.
