Kusari-Lila: PDK s’e do mbrojtjen e votës, por një mundësi të tretë për ta mbajtur Mitrovicën
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për përsëritjen e votimit në Mitrovicë duke e cilësuar atë si një përpjekje të qëllimshme për të fituar me çdo kusht qytetin.
“Nëse kemi konfirmim nga Komisioni Qendror Zgjedhor se gabimi teknik me numrin serik në fletëvotime është paraqitur në Mitrovicë dhe në Gjakovë, pse me kaq ngulm PDK kërkon përsëritjen e votimit vetëm për Mitrovicën? Pse nuk e kërkojnë edhe për Gjakovën, nëse sipas tyre është në pyetje ‘mbrojtja e votës së lirë’?”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo theksoi se kërkesa e PDK-së nuk ka të bëjë me parimet demokratike, por me ambicien për të devijuar procesin zgjedhor në favor të saj. “Nuk e kërkojnë për Gjakovën sepse qëllimin nuk e kanë te demokracia dhe vullneti i qytetarëve, por te mundësia e tretë për ta mbajt Mitrovicën. Nuk po pajtohen që dy raunde të votimit dhe dy raunde të exit poll-it i humbën atje, prandaj po e kërkojnë me ngulm të tretin,” tha ajo.
Kusari-Lila shtoi se zgjedhjet e reja lokale janë të mundshme vetëm pas katër vitesh duke lënë të kuptohet se kërkesa e PDK-së për përsëritje të votimit nuk ka as bazë ligjore e as morale. /Kosova.info/
