Kurti viziton Bashën, i dhuron pikturën e Rexhep Selimit
Pas përmbylljes së seancës konstituive të Kuvendit, kryeparlamentari Dimal Basha priti në takim kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Gjatë takimit ky i fundit i dorëzoi Bashës pikturën “Pranvera Shqiptare” e punuar nga Rexhep Selimi i cili aktualisht mbahet në Hagë.
“Kryeministrin e falënderova për përkushtimin e Qeverisë në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta për zhvillim dhe drejtësi shoqërore. Bashkë diskutuam për rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional dhe realizimit të agjendës legjislative gjatë kësaj legjislature që sapo e filluam”, shkruan Basha.
Ai thotë se me Kurti nënvizuam edhe nevojën për të proceduar drejt votimit të institucioneve të reja që derivojnë nga Kuvendi i Kosovës.
“Me këtë rast, kryeministri më njoftoi se, si kryetar i partisë më të madhe në vend, kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekt fitues i zgjedhjeve, Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë tek presidentja e vendit, sipas procedurës ligjore”, thotë ai.
Kuvendi, sipas Bashës, do të vazhdojë të punojmë me përgjegjësi të plotë në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore. “Besimi i qytetarëve është udhërrëfyesi ynë kryesor. Në këtë frymë, uroj që kjo legjislaturë të shërbejë me përgjegjësi dhe përkushtim në mbrojtjen e interesave të qytetarëve që përfaqësojmë”, ka shkruar Basha në rrjetin social facebook. /Kosova.info/
