Kurti: Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin

Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u mbajt në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj.

Kryeministri Kurti e vlerësoi ditë të veçantë për FSK-në dhe për vendin, sepse, siç tha ai, Ushtrisë së Kosovës, po i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar, të përgatitur dhe të gatshëm për t’i shërbyer atdheut e për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e vendit tonë.

“Gjatë nëntë javëve të trajnimit, ju jeni ballafaquar me sforcim fizik, ngarkesa psikike dhe detyra akademike, larg familjeve, nën disiplinë dhe vështirësi të tjera, të cilat nuk i keni hasur më parë. Të gjitha këto sfida kanë pasur vetëm një qëllim, t’ju përgatisin për të qenë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës, për t’i shërbyer paqes me përkushtim të lartë dhe me vetëmohim”, ju tha kryeministri rekrutëve të posadiplomuar.

Ai theksoi se përfundimi i suksesshëm i stërvitjes ushtarake bazë, padyshim është meritë e punës së palodhshme dhe profesionale të stafit trajnues të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri përgëzoi oficerët dhe nënoficerët e Forcës së Sigurisë për këtë arritje dhe i inkurajoi të vazhdojnë të ruajnë dhe të avancojnë njohuritë në shërbim të edukimit dhe trajnimit të gjeneratave të reja të ushtarakëve.

Në ceremoni ishin të pranishëm Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, z. Armend Mehaj, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe gjeneralë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së dhe të vendeve mike të Kosovës. 

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të FSK-së

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu

I nderuari Ministër i Mbrojtjes, z. Armend Mehaj,

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama,

E nderuara Gjeneral Brigade, znj. Irfete Spahiu,

Gjeneralë, Oficerë dhe nënoficerë të FSK-së dhe të vendeve mike,

Të nderuar dhe të respektuar familjarë,

Të dashur rekrutë, ushtarë të Republikës së Kosovës,

Sot, për ju, për familjet tuaja, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe vendin tonë, është një ditë e veçantë. Ushtrisë së Kosovës, po i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar, të përgatitur dhe të gatshëm për t’i shërbyer atdheut e për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e vendit tonë.

Gjatë 9 javëve të trajnimit, ju jeni ballafaquar me sforcim fizik, ngarkesa psikike dhe detyra akademike, larg familjeve, nën disiplinë dhe vështirësi të tjera, të cilat nuk i keni hasur më parë.

Të gjitha këto sfida kanë pasur vetëm një qëllim, t’ju përgatisin për të qenë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës, për t’i shërbyer paqes me përkushtim të lartë dhe me vetëmohim.

Duke qenë pjesë e FSK-së, përveç privilegjit, që tash e tutje do t’i shërbeni institucionit më të besueshëm në vend, ju keni nderin t’i shërbeni vendit tuaj por krahë aleatëve, krah ushtarëve të NATO-s, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale. Pra, sot është ditë për të festuar të gjitha arritjet tuaja.

Të dashur ushtarë,

Ju tash e tutje do të shërbeni në Forcë, e cila po zhvillohet e modernizohet për ditë e më shumë. Në Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila e bëri vendin tonë për herë të parë, vend pritës të një ndër ushtrimeve më të mëdha të drejtuara nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Defender Europe 21, si dhe për herë të parë bëri që flamuri ynë shtetëror, të valojë në kuadër të operacionit të mbështetjes së paqes në Lindjen e Mesme, por edhe Forcës, që shtriu dorën për t’i ndihmuar misionit të NATO-së në evakuimin e qytetarëve afganë në shërbim të së mirës dhe në mbrojtje të jetës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, Forcën ku do të shërbeni e ka vendosur ndër prioritetet kryesore të saj. Rritja e buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në tregon për përkushtimin tonë që kemi për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të vendit tonë.

Kjo gjithashtu tregon për përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes, jo vetëm në vend, por dhe në rajon e me gjerë.

Në ju, ne shohim përkushtimin e vendit tonë, shohim ndjenjën e shërbimit e të detyrës, të nderit e të krenarisë dhe të dashurisë së pakusht për shtetin dhe popullin tonë.

Të nderuar familjarë të rekrutëve,

Bijat dhe bijtë tuaj nga sot janë më shumë se vetja e tyre, ata janë krenaria e juaj dhe e secilit nga ne, sepse nga sot ata veshin uniformën e ushtarit të Republikës sonë, e cila arriti në këtë ditë falë mundit, gjakut dhe sakrificës së shumë gjeneratave.

Përfundimi i suksesshëm i stërvitjes ushtarake bazë, padyshim është meritë e punës së palodhshme dhe profesionale e stafit trajnues të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Prandaj, ju oficerë dhe nënoficerë të Forcës sonë, ju përgëzoj për këtë arritje dhe ju inkurajoj të vazhdoni të ruani dhe avanconi njohuritë tuaja në shërbim të edukimit dhe trajnimit të gjeneratave të reja të ushtarakëve.

Gjenerali Amerikan, Douglas MacArthur, që komandoi Paqësorin Jugperëndimor në Luftën e Dytë Botërore ka thënë se: “Ushtari, më shumë se çdo gjë tjetër, lutet për paqe”.

Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin.

Të dashur rekrutë,

Ju uroj diplomimin tuaj dhe fillimin e shërbimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i bindur plotësisht, se do t’i shërbeni vendit me nder e me krenari dhe do të jepni gjithçka nga vetja juaj për të siguruar një Kosovë më të drejtë e më të barabartë e më të sigurt për të gjithë. 

Ju faleminderit e zoti ju bekoftë. /Kosova.info/

Go to TOP