Kurti: S’nervozohemi me BE-në dhe të themi se do të shkojmë me një superfuqi tjetër

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova s’ka asnjë opsion tjetër pos atij të antarësimit në BE dhe NATO.

“Bashkimi Evropian dhe NATO janë fati ynë dhe këtë rrugë do ta vazhdojmë. S’ka alternativë tjetër pasi nuk themi se do të shkojmë me tjetër alternativë”.

Kurti nga Greqia, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit, tha se ka qenë kritik ndaj BE-së, por asnjëherë cinik.

“Kritikën që e kam zhvilluar e kam mësuar pikërisht nga Evropa, intelektualisht dhe jo vetëm politikisht, ne jemi fëmijë të Evropës. BE-ja është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit, jo vetëm në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Njerëzit mund të jenë të frustruar, por njëkohësisht nuk ka alternativë tjetër. Nuk shohim alternativë tjetër. Nuk nervozohemi dhe të themi se do të shkojmë me një superfuqi tjetër. NATO-ja dhe BE-ja nuk kanë alternativë. Evropa është kontinenti ynë, BE-ja është fati ynë. Kur gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të hynin në BE kufiri  jashtëm i BE-së do të kufizohej për 3000 km, dhe në kuptimin e sigurisë do të ishte më mirë, dhe njëkohësisht do të bashkoheshim me familjen tonë”.

Ai tha se Kosova dhe NATO janë pjesë e të tashmes dhe të ardhmes së njëra-tjetrës, derisa tha se Kosova i është afruar anëtarësimit në aleancën veri-atlantike pas luftës në Ukrainë, njofton Klankosova.tv.

“Jemi në bashkëpunim të afërt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po bëjmë një transformim të ushtrisë tonë dhe e shohim Amerikën si një aleat të fortë për sigurinë në Kosovë dhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”.

“Me pushtimin rus në Ukrainë perspektiva dhe përparësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO janë rritur. Të mos harrojmë që Kosova dhe NATO janë pjesë e historisë së shkuar dhe të ardhmes të njëra-tjetrës. NATO është e integruar për brenda Kosovës, me zbarkimin e trupave tanë bashkë me ShBA-në e kemi dëshmuar se s’ka diferencë mes ushtarëve tanë dhe atyre amerikanë”.

Albin Kurti këto komente i bëri gjatë bashkëbisedimit me gazetaren e Politico Europe dhe Agjencisë së Lajmeve ANA, Nektaria Stamouli, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit.

Go to TOP