Kurti: Skënderbeu mbetet referenca fillestare e vetëdijes shtetëndërtuese

Heroin kombëtar Gjergj Kastriotin “Skënderbeun” në ditëlindjen e tij e përkujtoi kryeministri Albin Kurti, i cili tha se ai mbetet referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese.

Kurti tha se nga Prishtina në Gjakovë e nga Tirana në Shkup dhe deri te arbëreshët në San Basile të Italisë, këto ditë u kujtua me nderime dhe me shtatore të reja heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Ky portret i tij, është publikuar në biografinë më të njohur të Skënderbeut, shkruar nga Marin Barleti dhe botuar më 1508. Siç besohet gjerësisht, Gjergj Kastrioti kishte lindur para 619 vitesh, më 6 maj të vitit 1405. Kjo duke u bazuar në një traditë antroponomike mesjetare, sipas së cilës të lindurit në ditë shenjtorësh pagëzoheshin me emrin e shenjtorit përkatës, prej nga disa historianë kanë hedhur hipotezën që Gjergj Kastrioti, mund të ketë lindur pikërisht më 6 maj, ditën e Shën Gjergjit, me emrin e të cilit shenjtor është pagëzuar”, shkruan Kurti.

Sidoqoftë përtej ditëlindjes së tij, ka gjithmonë arsye dhe dobi sipas Kurtit, të kujtohet jeta dhe vepra e Skënderbeut, “Zotit të Arbërisë, fisnikut më të shquar arbëror të Mesjetës”.

“Skënderbeu ishte një luftëtar i paepur për liri, strateg ushtarak gjenial, burrështetas i guximshëm dhe diplomat vizionar. Ai drejtoi një rezistencë dhe qëndresë të pathyeshme ndaj osmanëve që nga viti 1443 e deri sa vdiq më 1468”, shkruan Kurti në Facebook.

Lidhjet e Skënderbeut me shtetet italiane dhe perëndimore si me Mbretërinë e Napolit, me Papatin e Romës dhe me Republikën e Venedikut, sipas tij, janë rikthyer dhe rimarrë si raporte referenciale politike për shqiptarët edhe në kohët moderne.

“Në shekullin e XIX, figura e Skënderbeut u mor nga rilindasit shqiptarë dhe u vendos në qendër të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Stema dhe flamuri i dikurshëm i Kastriotit u bënë bazë e flamurit kombëtar dhe shtetëror nga shqiptarët në fillim të shekullit të XX. Vepra e Skënderbeut është dhe do të mbetet referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët. Andaj përherë, lavdi i Skënderbeut brez pas brezi do të shtohet”, shkruan Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP