Kurti: Pesë policë janë liruar, pesë të tjerë ende po mbahen nga Serbia – në mesin e tyre edhe Jankoviqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 200-të të qeverisë, tha se si rezultat i suksesit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serbia u hakmor dje duke ndaluar për mbi 20 orë qindra qytetarë të vendit në kufirin Kroaci-Serbi.

Ai tha se 10 policë janë ndaluar, në mesin e të cilëve është edhe zëvendësdrejtori i policisë, Dejan Jankoviq.

“Dje pas kalimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të KiE, Serbia u hakmor. Ndaloi në kufi përmbi 20 orë qindra qytetarë të vendit të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinim por si transit për t’u kthyer apo për të shkruar në vendet e BE-së. Në mesin e të ndaluarve ishte edhe zëvendësdrejtori i policisë Dejan Jankoviq, nga radhët e komunitetit joshumicë, serb në Kosovë. Sipas informacioneve, ai është dërguar në Rashkë. E dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen, intervistohen nga akterë të ndryshëm të Serbisë. 10 pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë qenë në ndalim dje, të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdarë, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Kroaci-Serbi. Pesë nga ta janë liruar, pesë ndodhen në mbajtje, në mesin e tyre edhe Jankoviqi”.

Kurti tha se veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes ndaj suksesit të Kosovsë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“Keqtrajtimi i qytetarëve është akt i shkeljes së rëndë të drejtave të njeriut. Me veprimin e djeshëm Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh”, u shpreu kreu i ekzekutivit.

Kryeministri tutje tha se ndalimi dhe mbajtja e qytetarëve të Kosovës në kufirin Kroaci-Serbi, risolli kujtimet e hidhura të Serbisë së Millosheviqit.

“Kjo na kujtoj që Serbia ngelet e njëjta ngase udhëhiqet nga një ish-bartës i tij. Serbisë nuk i konvenon normaliteti, paqja dhe qetësia e sidomos në Kosovës. Pas rëniës së lirë në autokraci, në 10 vitet e fundit, regjimi në Serbi është në kërkim të vazhdueshëm të tensioneve e konfliktete herë në Kosovë, herë në Bosnjë dhe Hercegovinë, herë në Mal të Zi. Serbia është burim i kërcënimit, paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit. Ndalimet dje u bënë në ditën e përkujtimit të masakrave të tmerrshme në vendin tonë, në fshatrat Poklek e Qikatovë, ku Serbia ka masakruar 77 shqiptarë civilë të paarmatosur”, tha kryeministri.

Gjatë fjalës së tij para kabinetit qeveritar, ai poashtu tha se Serbia vazhdon të qëndrojë mbi varreza masive, ndërsa theksoi se sistemi i drejtësisë duhet të veprojë me ngulm për viktimat e luftës.

“Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varrezat masive teksa i mohon ato, ndërsa ne i kërkojmë 1597 të zhdukuar nga lufta e fundit. E përsërisim kërkesën për hapjen e arkivave të brigadës 37 të motorizuara të ushtrisë jugosllave përgjegjëse kryesore për shumë masakra në rajonin e Drenicës dhe për fatin e shumë personave të zhdukur në këtë rajon. Na duhet e vërteta e plotë dhe përgjegjësia komanduese, na duhet drejtësia institcionale gjyqësore. Sistemi i drejtësisë të veprojë me ngulm sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës”, tha Kurti.

Go to TOP