Kurti përkujton viktimat e masakrave: Dëshmi e gjenocidit serb
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke nderuar viktimat në disa prej zonave më të goditura nga forcat serbe.
Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se 26 marsi i vitit 1999 shënon një nga ditët më tragjike, duke kujtuar 243 civilët e vrarë në Krushë e Madhe dhe 113 në Krushë e Vogël. Ai ka rikujtuar gjithashtu zhdukjen me dhunë të 64 banorëve dhe shkatërrimin e mbi 700 shtëpive, përfshirë objekte fetare dhe kulturore.
Kryeministri përmendi edhe viktimat në zona të tjera, përfshirë 48 anëtarët e familjes Berisha në Suharekë, trupat e të cilëve u gjetën në varreza masive në Batajnicë, si dhe 19 anëtarët e familjes Imeraj në Padalishtë. Po ashtu, ai kujtoi 23 të vrarët në Landovicë dhe gjashtë viktimat në Gjakovë.
Kurti i cilësoi këto krime si dëshmi të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, duke theksuar se vendosja e drejtësisë mbetet një detyrim i domosdoshëm moral, juridik dhe historik.
“Si Republikë kemi përgjegjësi të dyfishtë: ndaj së kaluarës, duke dokumentuar dhe kërkuar llogari për krimet, dhe ndaj së ardhmes, duke ndërtuar paqe të qëndrueshme dhe mirëqenie për brezat e rinj”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Kurti ka thënë se përkushtimi institucional dhe qytetar duhet të vazhdojë në frymën e idealeve të dëshmorëve dhe martirëve, ndërsa bëri thirrje që kujtimi për viktimat të mbetet i përjetshëm. /Kosova.info/
