Kurti për regjisoren Burbuqe Berisha: Vdekja na e rrëmbeu para kohe, veprat e saj janë të pashlyeshme

Teatri Kombëtar në Prishtinë hapi dyert e tij edhe sot për regjisoren Burbuqe Berisha, por kësaj radhe jo për ndonjë vepër teatrale të saj por për t’i dhënë asaj lamtumirën e fundit dhe për të nderuar jetën dhe veprën e regjisores. Homazhe tek arkivoli i saj sot bënë krerë të lartë institucional e figura të shumta nga kultura dhe arti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arben Vitia bënë homazhe për regjisoren, Burbuqe Berisha.

Kurti pasi bëri homazhe tek arkivoli i regjisores të ndjerë tha se krijimtaria artistike e Burbuqe Berishës është kujtimi i pashlyeshëm që do të ngelet trashëgimi për brezat e ardhshëm.

“Angazhimi i saj e puna e saj për teatrin dhe filmin tek ne lë gjurmë të shkëlqyera në kulturën tonë, veprimtaria dhe krijimtaria artistike e Burbuqe Berishën pa dyshim që e bënë edhe  kujtimin tonë për të, të pashlyeshëm por njëkohësisht ajo ngelet edhe si trashëgimit për brezat e ardhshëm e artdashësve që do vijnë pas saj. Unë kam pasur fatin që shpesh ta takoj e pa numër herë edhe të rrimë bashkë dhe të diskutojmë bashkë  për artin dhe kulturën për filmat tek ne dhe në botë dhe ajo nuk ka qenë vetëm një artiste e talentuar por gjithashtu edhe një artiste e angazhuar që ka ndihmuar të tjerët dhe me debatet që ka marr pjesë e siguri që ka kontribuar edhe tek artistët tjerë të gjeneratës së saj por edhe ata që ishin pararendës dhe që vijnë pas saj. E kujtojmë me nderime dhe mall Burbuqe Berishën që vdekja na e rrëmbeu para kohe mirëpo asnjëherë nuk do mund të na i marr mbresat e fuqishme që ka tek ne me jetën dhe veprën e saj”, tha Kurti.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se komuniteti artistik ka humbur një punëtore të madhe, ndërsa shoqëria ka humbur një qytetare aktive dhe të zellshme.

Çeku u shpreh se Burbuqe Berisha frymën e saj të fundit e dha duke punuar për kulturën.

“Komuniteti artistik i Kosovës ka humbur një punëtore të madhe dhe të palodhshme ndërsa shoqëria kosovare ka humbur një qytetare aktive dhe të zellshme që asnjëherë nuk është ndal së punuari dhe së prodhuari në art dhe kulturë dhe në momentin kur po jepte frymën e fundit Burbuqe Berisha ishte duke punuar ishte duke na ndihmuar  me regjinë e koncertit të parë të Operës së Kosovës ishte pra në ambientet e ministrisë së Kulturës ishte moment i trishtë ne do e kujtojmë jetën dhe veprën e saj  si ministri e Kulturës do bëjmë çmos që jetën dhe veprën e saj të përcillet brezave të ardhshëm dhe do bëjmë krejt çka është në dispozicion që artistët e mëdhenj siç ishte Burbuqja ta kenë vendin e merituar në historinë artistike. Burbuqe Berisha ka lënë prapa një krijimtari shumë të pasur edhe filmike edhe teatrore ka qenë një urë lidhëse në mes artistëve të filmit dhe teatrit”, tha Çeku.

Homazhe tek arkivoli i regjisore, Burbuqe Berisha bëri edhe ish ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi e cila tha se vdekja e Buqes është humbje e madhe për komunitetin kulturor dhe gjithë Kosovën.

“Buqen e kam pasur mike qysh në kohën e rinisë Buqja ka qenë një person i jashtëzakonshëm për neve edhe komunitetin kulturor dhe gjithë Kosovën është humbje shumë e madhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës në fushën e edukimit të gjeneratave të studentëve sepse ka ligjëruar, andaj kjo vdekje ka qenë e papritur  sidomos për neve miket e saja. Uroj që puna e saj të kujtohet e gjithsesi do e kujtojmë edhe Buqen dhe do e kemi në shpirtin tonë. Unë i ngushëlloj familjarët për këtë humbje të madhe sepse ka qenë shtyllë e familjes përveç kontributit të saj në kulturë, në arsim Buqja ka pasur edhe një histori familjare e bija e një të burgosuri politik të cilët nuk e kanë pasur jetën e lehtë por Buqja ka qenë ajo që ka luftuar”, tha Dumoshi.

Go to TOP